Nënkalimi te lagja Dardania në Tetovë u bllokua përsëri nga reshjet 

Nënkalimi në lagjen Dardania në Tetovë është bllokuar përsëri si rezultat i reshjeve të shiut, raporton Portalb.mk

Zjarrfikësit e Tetovës apelojnë që qytetarët të shmangin lëvizjen në këtë pjesë. 

“Apelojmë qytetarët që të evitojnë lëvizjet tek nënkalimet në lagjen Dardania, për shkak të grumbullimit të ujit në ato nënkalime”, informoi komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, Avni Ameti.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) theksuan se për shkak të reshjeve intensive të shiut në pjesë të Maqedonisë Perëndimore, veçanërisht në rajonin e Pollogut dhe Komunën e Tetovës, janë vërejtur probleme me përthithjen e kanalizimeve atmosferike dhe fekale në pjesët urbane të qytetit.  

“Kjo ka çuar në grumbullim dhe krijim të sipërfaqeve me ujë nën nënkalimet dhe mbikalimet. Apelojmë për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes nëpër rrugë dhe shmangie të qarkullimit drejt pjesëve të lartpërmendura të infrastrukturës rrugore. Ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë aktivisht për tejkalimin e gjendjes”, thanë nga QMK. 

Në lagjen Dardania ekzistojnë dy rrugë alternative që qytetarët mund t’i përdorin për kryerjen e papenguar të obligimeve të tyre të përditshme derisa të përfundojë pastrimi dhe normalizimi i situatës.

Ndryshe, nënkalimi në lagjen Dardania mbushet me ujë dhe bllokohet për kalim çdo herë kur ka reshje më të dendura të shiut. Herën e fundit ky nënkalim u bllokua para pak javëve në tetor.

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) ka njoftuar se deri në fund të javës pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe relativisht i ngrohtë, me reshje lokale shiu herë pas here.

“Vende-vende reshjet do të jenë më të dendura, me kushte për mot të keq, erë të fuqishme (mbi 60 km/h) dhe bubullima të rralla. Gjatë 24 orëve pritet të bjerë një sasi më e madhe shiu (mbi 30 l/m²). Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi jugor”, informoi QMK. 

Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVReshje shiuTetovaZjarrfikës