“Nëna” shfaqja më e mirë e KU-Fest, Shkëlqim Islami fitoi çmimin “Sefedin Nuredini”

Shfaqja “Nëna” e Teatrit të Gjilanit, me regji të Erson Zymberit, triumfoi në edicionin e tretë të Festivalit Ballkanik të Teatrit KU-Fest, i cili u mbajt në Kumanovë. Ajo fitoi tri çmime: për shfaqjen më të mirë, regjinë më të mirë dhe aktoren më të mirë. Në mesin e të vlerësuarve ishte edhe aktori Shkëlqim Islami, i cili fitoi çmimin kryesor të festivalit “Sefedin Nuredini” për interpretimin e tij në shfaqjen “Rinoqerontët”. Me lojën bindëse dhe paraqitjen e spikatur në skenë, Islami u dallua si një nga aktorët më të suksesshëm të këtij edicioni të KU-Festit, shkruan Portalb.mk.

Aktori Shkëlqim Islami. Foto: Sarandë Selimi

Festivali KU’fest 2026 u përmbyll me shfaqjen përshëndetëse “Njeriu jastëk”, të interpretuar nga aktorët e dramës shqipe të Teatrit të Kumanovës. Shfaqja u mirëprit me duartrokitje nga publiku, duke shënuar një përfundim të denjë të edicionit të sivjetmë të festivalit.

Pas gjashtë ditësh të mbushura me teatër, art dhe krijimtari nga rajoni, KU-Fest uli siparin me ndarjen e shtatë çmimeve për shfaqjet, aktorët dhe krijuesit më të spikatur të këtij edicioni.

Çmimi për regjinë më të mirë iu nda Erson Zymberit. Miroslav Petkoviq u shpall aktori më i mirë në rol kryesor, ndërsa Aurita Agushi mori çmimin për aktoren më të mirë në rol kryesor. Për rolet dytësore u vlerësuan Valon Nuhiu dhe Gentiana Ramadani.

Foto nga ndarja e çmimeve. Foto:KU-Fest (Facebook)

Çmimet u ndanë në një mbrëmje të shoqëruar me emocione dhe duartrokitje, në prani të artistëve, organizatorëve dhe artdashësve. Fituesit u përzgjodhën nga juria në përbërje të Leunora Kaliqit, kryeredaktore e RTM2-së, aktorit Zijadin Murtezi dhe regjisorit Robert Ristov.

Drejtori i festivalit, Qazmedin Nuredini, tha se ky rrugëtim do të vazhdojë. Sipas tij, synimi është që në edicionet e ardhshme KU-Fest të sjellë edhe më shumë artistë, krijime dhe shfaqje nga rajoni, duke e kthyer Kumanovën në një skenë ku arti i afron njerëzit dhe i zbeh kufijtë.

Për gjashtë net me radhë, Kumanova u shndërrua në një pikëtakim të artistëve dhe publikut nga vende të ndryshme të rajonit. Në skenat e festivalit u sollën histori, personazhe dhe qasje të ndryshme artistike, duke e vendosur teatrin në qendër të jetës kulturore të qytetit.

Edicioni i tretë shënoi një tjetër hap në rrugëtimin e KU-Fest, i cili synon të krijojë një traditë të qëndrueshme teatrale në Kumanovë dhe të forcojë bashkëpunimin mes artistëve nga vendet e Ballkanit.

ÇmimeKultura shqiptareKulturë lajmeTeatër shfaqje teatroreTeatri i Kumanovës