Në prag të zgjedhjeve VLEN, BDI dhe ASH shkëmbejnë akuza për tradhti, korrupsion dhe abuzime në Çair

Gjatë ditës së sotme, partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë kanë shkëmbyer akuza të ashpra ndaj njëra-tjetrës. VLEN e akuzoi Bujar Osmanin se si kryesues i OSBE-së ka ndjekur linjën pro-serbe në dëm të Kosovës, duke e përdorur karrierën publike për interesa personale dhe duke neglizhuar Çairin. BDI u kundërpërgjigj duke e cilësuar Izet Mexhitin si autor të shkatërrimit të Çairit me krim, korrupsion e ndërtime të paligjshme, i mbështetur nga VMRO për rikthim në pushtet. VLEN përsëriti se Osmani nuk ka bërë asgjë për Çairin në 20 vite dhe ka lidhje me interesa serbe. Ndërkohë, ASH e akuzoi Mexhitin për manipulim të shifrave mbi ndërtimet pa leje dhe përfitime të paligjshme mbi 225 milionë euro nga betonizimi dhe marrëveshjet me oligarkë të bixhozit, transmeton Portalb.mk.

“Partia nongrata Bashkimi Demokratik për Integrim dhe lideri i saj Ali Ahmeti tentojnë të paraqesin mandatin e Osmanit si Kryesues i OSBE-së si një triumf diplomatik. Në realitet, situata është krejt ndryshe. Gjatë presidencës së tij në OSBE, Bujar Osmani shpesh mbajti qëndrim që u përputhej me interesat e Beogradit, duke qenë të dëmshme për Kosovën, partnerin tonë më të afërt dhe më të rëndësishëm në rajon. Në vend që të mbronte parimet e drejtësisë dhe vetëvendosjes, ai ndoqi linjën e diplomacisë serbe, duke shmangur të mbajë një qëndrim të qartë kundër politikave agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Mbi identitetin e “de-eskalimit”, Osmani sugjeroi zgjidhje që minuan sovranitetin e Kosovës: mohuan vullnetin demokratik të qytetarëve dhe mundësuan krijimin e strukturave paralele që janë në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit. Pikat më shqetësuese nga veprimi i Bujar Osmanit ndaj Kosovës janë: Kërkoi dorëheqjen e kryetarëve të komunave të zgjedhur në mënyrë legjitime, duke cenuar procesin demokratik vetëm sepse rezultatet nuk i leverdisnin Serbisë. Kushtëzoi që Kosova të tërhiqej nga forcat e saj të sigurisë në territorin e vet, ndërsa për Serbinë kërkonte vetëm “ulje simbolike të gatishmërisë luftarake”, duke cënuar parimin e barazisë dhe veprimit sovran.

Përplasja e rolit të OSBE-së si ndërmjetës për proceset zgjedhore, sikur Kosova nuk ishte një shtet i pavarur e funksional me institucione dhe mekanizma zgjedhorë të vetë”, thonë nga VLEN.

Paraprakisht ASH akuzoi se VLEN dhe Mickoski po shantazhojnë të rinjtë shqiptarë me punësime të përkohshme për përfitime politike

“Ditëve të fundit, Aleanca për Shqiptarët ka pranuar dhjetëra ankesa serioze nga të rinj shqiptarë, të cilët po viktimizohen nga shantazhet dhe presionet kriminale të funksionarëve të VLEN-it. Këta individë po i detyrojnë, me forcë dhe pa asnjë lloj vullneti, të ekspozohen në rrjetet sociale nën pretekstin e “punësimeve”. E vërteta është e hidhur: shumica e këtyre të rinjve janë punësuar me kontrata të përkohshme, që skadojnë në fund të vitit. Këto kontrata janë negociuar drejtpërdrejt me kryeministrin Mickoski, i cili po i trajton si “pronë personale” për shpërdorim të buxhetit publik, në funksion të interesave të tij politike dhe elektorale. Kjo praktikë është e turpshme, e paligjshme dhe thellësisht anti-demokratike. Presioni politik, shantazhet dhe përdorimi i punësimit si mjet për manipulim dhe nënshtrim të të rinjve përbëjnë veprimtari kriminale”, akuzuan nga ASH.

VLEN iu kundërpërgjigj se “ata që i lanë në baltë të rinjtë shqiptarë, duke sabotuar krejt procesin e punësimeve, nuk kanë asnjë të drejtë sot të derdhin lot krokodili”.

“Hipokrizia e tyre nuk mbulohet as me deklarata patetike, as me fjalë të mëdha. Të njëjtët që deri dje bënin fushatë duke akuzuar se shqiptarët nuk po punësohen, sot, kur po punësohen qindra të rinj shqiptarë, na akuzojnë pse po e bëjmë këtë. Duket qartë se nuk i shqetëson mirëqenia e shqiptarëve, por fakti se procesi po zhvillohet pa ta dhe jashtë ndikimit të tyre. E vërteta është se halli i vetëm i tyre është si të shpëtojnë nga gracka ku i futi Ali Ahmeti. Partnerët më të rinj të BDI-së nuk e kanë asnjëherë në mendje rininë shqiptare, por vetëm si ta justifikojnë humbjen e thellë që i pret në tetor. E si do ta justifikojnë? Me të njëjtat “lista të veçanta” për të cilat u larguan nga VLEN-i dhe u përqafuan me BDI-në. Shqiptarët e kanë kuptuar këtë lojë të vjetër dhe nuk do t’ju falin”, thanë nga VLEN.

BDI ndërkohë reagoi duke thënë se Çairi është përballë vendimit historikisht më të rëndësishëm në 20 vitet e fundit. Këto sipas tyre, nuk janë vetëm zgjedhje për kryetar komune, këto janë zgjedhje midis dy kahjeve krejtësisht të kundërta në të cilat po lëviz komuna.

“Zgjedhja bëhet ndërmjet kthimit mbrapa tek personi që ka shkatërruar komunën e Çairit me krim dhe korrupsion, ose vendosmëria që më në fund të ecim përpara me një njeri që ka vizion, integritet dhe njohuri për ta udhëhequr Komunën në të ardhmen. Nga njëra anë zgjedhja është Izet Mexhiti, një kryetar komune që për tre mandate e shndërroi Çairin në një zonë biznesi për rrjetin e tij, i cili jeton jashtë komunës dhe i cili është simbol i ndërtimeve të paligjshme, krimit dhe shantazhimeve. Sot, në vend që të shpresojë në mbështetjen e qytetarëve të Çairit, ai hyn në garë i poshtëruar dhe i shantazhuar nga Mickoski dhe VMRO-DPMNE duke shpresuar që përmes korrupsionit, ryshfetit dhe mbështetjes nga Mickoski, do të mund ta përbuz serish votën e qytetarëve të Çairit. Nga ana tjetër zgjedhja është Bujar Osmani një njeri nga Çairi, me 20 vjet shërbim publik të pa metë. Lider që ndërton, bashkon dhe që di të punojë për popullin”, thanë nga BDI.

Nuk vonoi shumë dhe VLEN lëshoi kundër-akuza duke thënë se qytetarët e Çairit e njohin mirë se kush është Bujar Osmani.

“E dinë se për njëzet vite në politikë nuk ka bërë asgjë për Çairin, as nuk ka ndihmuar askënd nga Çairi. Ai kthehet këtu vetëm kur i duhen votat për të vazhduar karrierën e tij personale politike. Bujar Osmani është simbol i karrierizmit, një njeri që e ka shfrytëzuar çdo funksion për përparimin e tij personal, e jo për të mirën e qytetarëve. Si ministër i Shëndetësisë mori amnisti në një rast të Prokurorisë Speciale Publike për furnizime të paligjshme, ndërsa raportet e Entit Shtetëror të Revizionit dokumentojnë shpenzime të paligjshme milionëshe, miliona denar për derivate pa mbulim, servisime të automjeteve pa prova e pa dëshmi, punësime të paligjshme përmes agjencive. Si ministër i Punëve të Jashtme shpenzoi mbi 120 milionë denar për Samitin e OSBE-së, pa dokumente, pa fatura, pa raporte. E vetmja “fitore” që mbeti në mend është pritja që i bëri ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov, një veprim që i shkaktoi dëm reputacionit ndërkombëtar të shtetit. Si kryesues i OSBE-së u bë i njohur për qëndrimin pro serb në konfliktin me Kosovën dhe në vend që të ndërtonte partneritet strategjik me Kosovën, organizoi dhjetëra takime me udhëheqësit shtetërorë serbë, duke i hapur tregun kapitalit serb dhe bizneseve të dyshimta. Si pjesë e qeverisë së BDI-së ishte bashkëpërgjegjës për lejimin e hyrjes së M-TEL-it dhe kazinove serbe në Maqedoni, nga të cilat dy licenca përfunduan në duart e kompanive me prejardhje të diskutueshme serbe dhe malazeze”, reagoi VLEN.

Aleanca për Shqiptarët ndërkohë reagoi ndaj deklaratave të fundit të Izet Mexhitit, për të cilin thonë se ka shpërndarë shifra të pasakta dhe të manipuluara lidhur me Gostivarin.

“Deklarata e tij mbi numrin e ndërtimeve pa leje në Gostivar është e pavërtetë dhe e pasaktë. Shifra e përmendur nuk i referohet ndërtimeve pa leje, por objekteve të legalizuara sipas Ligjit për legalizim para vitit 2011. Kjo përzierje është ose joprofesionalizëm, ose keqinformim i qëllimshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Inspektoratit të Ndërtimit të Komunës së Gostivarit, nga viti 2018 deri në vitin 2025 janë evidentuar dhe është vepruar ndaj gjithsej 112 objekteve pa leje, prej tyre: 58 shtëpi të ndërtuara pa leje, 25 mbindërtime apo shtojca, dhe 29 mure oborri. Ajo që Izet Mexhiti po bën është një tentativë e dëshpëruar për të devijuar vëmendjen nga krimet urbanistike në Çair. Ai ngatërron qëllimisht aplikimet për legalizim të para vitit 2011 me ndërtime të paligjshme të bëra sot, duke harruar se pikërisht gjatë drejtimit të tij janë keqpërdorur këto procedura për pasurim personal dhe të rrjetit të tij. Gostivari është një ndër komunat me numrin më të madh të lejeve për ndërtim të lëshuara – dëshmi e transparencës dhe funksionimit sipas ligjit. Për projektet madhore si masterplani i Çairit nevojiten vite pune, konsultim me publikun dhe angazhimi i ekspertëve vendas, jo shfaqje mediatike dhe “ekspertë” të importuar për interesa politike. Jo, Izet! Krimet tuaja janë bërë tani, pikërisht duke keqpërdorur aplikimet e qytetarëve. Nëse këto kategori elementare nuk i di, atëherë na vjen keq – sepse kjo tregon se nga drejtimi i komunës nuk paske mësuar asgjë, përveç kriminalizimit të pasurisë publike dhe dëmtimit të qytetarëve. Për më tepër, raportimet tronditëse për përfitime të paligjshme që kapin shifrën mbi 225 milionë euro nga ndërtimet e egra dhe marrëveshjet e pista me oligarkët e industrisë së bixhozit e lidhin drejtpërdrejt Izet Mexhitin dhe dinastinë e tij me afera të rënda kriminale”, thuhet në reagimin e ASh-së.

Këto akuza dhe kundër-akuza janë intensifikuar me afrimin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.

Aleanca për Shqiptarët (ASH)Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)VLEN koalicioniZgjedhje lokale RMV 2025