Në pjesën ndërmjet fshatrave struganë Kalishtë dhe Radozhdë janë gjetur 20 të ashtuquajtura rrjeta të varura të peshkimit, përdorimi i të cilave për kapjen e peshkut është rreptësisht i ndaluar. Rrjetat kanë një gjatësi totale prej rreth 4.000 metrash, ndërsa në to janë kapur 872 copë peshk koran i Ohrit, me peshë totale prej 116,9 kilogramësh, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Kontrolli aksional është kryer nga zyrtarët policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje Kufitare “Liqeni i Ohrit” dhe lidhet me veprën penale peshkim i paligjshëm, si dhe me gjetjen e rrjetave të peshkimit dhe mjeteve të tjera për peshkim.
“Me udhëzim të prokurorit publik, zyrtarët policorë të policisë së liqenit dhe të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Perëndim i kanë nxjerrë nga liqeni rrjetat e peshkimit së bashku me peshkun e zënë. Për rastin është njoftuar edhe Inspektorati kompetent i Peshkimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në periudhën e ardhshme, sipas njoftimeve, policia kufitare do të vazhdojë me kontrolle të përforcuara aksionale me qëllim parandalimin e peshkimit të paligjshëm, identifikimin e personave që kryejnë këtë vepër penale dhe mbrojtjen e fondit të peshkut në Liqenin e Ohrit.