Në minutat e para të vitit 2025 në jetë në Kosovë kanë ardhur një vajzë dhe një djalë, ndërsa në Shqipëri foshnjet e para të vitt të ri janë binjakë, njofton Portalb.mk.
Poema dhe Diamanti janë foshnjat e para që kanë ardhur në jetë në vitin 2025 në Kosovë. Një gjë të tillë është bërë e ditur pas vizitës që kryeministri kosovar Albin Kurti ka bërë në minutat e para të këtij viti në Klinikën Gjinekologjike të QKUK-së.
“Vizituam dy nëna që kanë lindur dy foshnja në këtë ndërrim motmotesh. Zonja Teutë ka lindur vajzën Poema, ndërsa zonja Fortesa ka lindur djalin Diamantin. Të dy nënat dhe të dy foshnjat janë shumë mirë me shëndet. E ne i uruam mbarësi, në jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre”, ka thënë Kurti.
Viti 2025 në Shqipëri ka nisur ndryshe këtë herë, pasi bebet e para që kanë ardhur në jetë janë binjakë.
Ares dhe Rajd kanë ardhur në jetë sapo akrepat e orës kanë shënuar 00:00. Lindja është realizuar në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”.