Kuartali i parë i këtij viti do të sjellë ndryshime ligjore me të cilët në mënyrë drastike do të rriten gjobat për zinxhirët tregtar të cilët i kanë shkelur rregullat për tregtim jofer. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se shteti nuk do të lejojë përfitim në llogari të varfërimit të qytetarëve, njofton Portalb.mk.
Ligji aktual për praktika jofer tregtare parashikon gjobë maksimale prej 20.000 euro, ndërsa sipas paralajmërimeve, ndryshimet e reja, të cilat do të jenë së shpejti para deputetëve, do të parashikojnë sanksione të cilat “ashpër” do t’i godasin kundërvajtësit.
“Si Qeveri nuk jemi mbështetës të masave represive, por po përpiqem të dërgoj mesazh deri te ata të cilët sillen në mënyrë të papjekur, të papërgjegjshme dhe me lakmi. Nuk mund të drejtohen biznese në këtë mënyrë – kur fiton vetëm njëra palë, ndërsa humbasin qytetarët”, deklaroi Mickoski pas vizitës së sotme në Sopishte ku u hap një çerdhe.
Kryeministri zbuloi se institucionet kompetente tashmë me kujdes po i dokumentojnë përpjekjet e disa marketeve të mëdha për të ndryshuar dispozitat ligjore.
Lidhur me dyshimet e mëparshme për lidhje kartelesh të marketeve, kryeministri shpjegoi se këto janë raste që janë toleruar nga qeveria e mëparshme, por që qeveria aktuale tashmë po i procesuon ato.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi më 2 janar paralajmëroi se javën e ardhshme do të bëhet analiuë e çmimeve të prodhuesve që qytetarët i kanë paguar në fund të vitit dhe në fillim të këtij viti.
Qëllimi është, siç tha, të shihet se nëse ka pasur shtrenjtim dhe sjellje devijuese nga ana e tregtarëve. Ai shtoi se pasi që të bëhen analizat dhe të shihet se nëse pohimet për çmimet më të larta janë të sakta do të njoftojnë se si do të veprojnë më tej.
Ndërkohë kujtojmë se vlera e shportës minimale sindikale të llogaritur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) për dhjetor është 65.492 denarë dhe është për 319 denarë më e lartë se shporta minimale për muajin e kaluar kur ishte 65.173.
Sipas llogaritjeve të LSM-së, në dhjetor nevojiten 23.640 denarë për ushqim dhe pije, 7.159 denarë për arsim, 6.130 denarë për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje, 5.875 denarë për veshmbathje, 4.636 denarë për transport, 4.131 denarë për restorante dhe hotele, 3.417 denarë për komunikim dhe 2.620 denarë për higjienë personale dhe mirëmbajtje të higjienës në shtëpi.
- LEXO: Javën e ardhshme, do të analizohet nëse ka pasur rritje çmimesh dhe sjellje devijante nga tregtarët në RMV
- LEXO: Durmishi çmimet e produkteve nuk janë të larta, por qytetarët i perceptojnë si të tilla
- LEXO: RMV, shporta minimale sindikale në dhjetor 65.492 denarë
- LEXO: Një familje në RMV i nevojiten të paktën 65.173 denarë në muaj për jetesë
- LEXO: Organizata e konsumatorëve në RMV: Çmimet duhet të monitorohen, masat të mos vonohen nëse ka rritje çmimesh