Ndotja me qese të plastikës në RMV do të vazhdojë edhe një vit

Ndalesa e tërësishme për përdorimin e qeseve të plastikës në Maqedoninë e Veriut po zvarritet. Në vend të 1 korrikut të këtij viti, ndalesa për shfrytëzim të qeseve që e ndotin mjedisin jetësor do të fillojë të zbatohet prej 1 korrikut të vitit 2024, informuan sot nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njofton Portalb.mk.

Nga Ministria thonë se e kanë ndryshuar rregulloren për standardet e biodegradueshmërisë të cilat duhet t’i plotësojnë qeset për bartjen e mallrave, mënyrës së lëshimit në treg të qeseve të biodegradueshme nga ana e tregtarëve, por edhe forma dhe përmbajtja e formularit për mbajtjen e evidencës.

Në rregulloren e ndryshuar ka edhe një ndryshim, dhe ajo ka të bëjë me nenin 2 në pikën 1, në fjalët “qese mbi 15 mikronë” ndryshohet me fjalët “qese me trashësi të murit prej 15 deri në 50 mikronë”. Kështu që, me ndryshimet definohet në mënyrë më strikte se nën terminin “qese për bartjen e mallrave”, hyjnë vetëm qeset e lehta të plastikës për bartjen e mallrave.

Përndryshe, ndryshimet në rregulloren për standardet e qeseve të biodegradueshme në fakt nënkuptojnë ndryshim të standardit ekzistues EN 13432:2007/AC:2011 me standard ekologjik МКС EN ISO 17556: 2020, i cili nënkupton prodhim të vetëm të qeseve të biodegradueshme me standard të lartë ekologjik.

Më 1 dhjetor të vitit 2021, hyri në fuqi vendimi për ndalesën e lëshimit të qeseve të plastikës në tregun në vend. Siç thuhet në nenin 1- të Ligjit për menaxhim me paketim dhe mbeturina nga paketimi, përjashtim të këtij ndalimi bëjnë qeset e bidegradueshme për bartjen e mallrave të cilat janë të prodhuara sipas standardeve të shkruara. Qytetarët mund të blejnë qese të cilat janë të biodegradueshme, me çmim prej 15 denarësh.

EkologjiMinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH)
Comments (0)
Add Comment