Pas plasimit të lajmit nga Portalb.mk, se Qeveria vazhdon të mos i publikojë procesverbalet nga mbledhjet e qeverisë në gjuhën shqipe në ueb-faqen e saj, sot ka reaguar BDI. Ata thonë se kjo përbën shkelje të vazhdueshme të Ligjit për përdorimin e gjuhëv. Ata shtojnë se fakti që nga data 10 qershor 2025, janë mbajtur 14 mbledhje të Qeverisë dhe asnjë prej procesverbaleve nuk është publikuar në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të institucionit qeveritar, përbën jo vetëm një shkelje të hapur të ligjit, por edhe një akt diskriminimi të qëllimshëm ndaj gjuhës dhe qytetarëve shqiptarë, transmeton Portalb.mk.
“Arsyetimi me “vonesa teknike” është i papranueshëm dhe përçmues. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe detyrimi për përkthim dhe publikim të barabartë është i sanksionuar me ligj. Çdo shmangie nga ky obligim është mohim i karakterit multietnik dhe barazisë që e garanton Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit. Nuk është rastësi që këtë klimë diskriminimi e ushqejnë pikërisht partitë që vazhdojnë të kundërshtojnë vetë ekzistencën e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Rikujtojmë se VMRO-DPMNE është parashtruese zyrtare e iniciativës për shfuqizimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, një institucion që në vend se të jetë garant i barazisë dhe mbrojtës i Kushtetutës, po shndërrohet në instrument parapolitik për rrënimin e çdo arritjeje nga Marrëveshja e Ohrit dhe vetë karakteri multietnik i shtetit”, thuhet në reagim.
BDI i bën thirrje Qeverisë që të ndalë këtë praktikë përjashtuese dhe të ndërmarrë masa urgjente për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Çdo neglizhencë ndaj gjuhës shqipe është neglizhencë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës në vend. Si subjekt politik që angazhihet për barazi gjuhësore dhe kohezion ndëretnik, ne nuk do të heshtim përballë këtij degradimi institucional. Qytetarët shqiptarë nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe meritojnë respekt të plotë në çdo dokument, në çdo platformë dhe në çdo veprim të institucioneve shtetërore”, shtojnë nga BDI.
Nga ana tjetër VLEN ka reaguar duke thënë se “BDI NONGRATA ka vendosur të flasë për gjuhën shqipe, por jo për ta mbrojtur, por për ta përdorur si mjet manipulimi politik”.
“Të flasësh për diskriminim gjuhësor në vitin 2025, kur vetë ishe arkitekti i viteve të heshtjes institucionale ndaj shqipes, është jo vetëm hipokrizi, por edhe fyerje për qytetarët shqiptarë sepse 20 vite i manipuluan ata. E vërteta është kjo: BDI nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për përdorimin e gjuhës shqipe. Në kohën e tyre, gjuha shqipe ishte e pranishme vetëm në premtime, në ndërkohë që komunikimi ndërinstitucional dhe dokumentet zyrtare funksiononin vetëm në një gjuhë, maqedonisht. Sot, falë qeverisjes së re dhe përkushtimit të zyrtarëve shqiptarë brenda VLEN, gjuha shqipe është prezente në çdo vendim qeveritar, në çdo dokument të rëndësishëm dhe në çdo proces të komunikimit mbrenda institucional. Dëshmi konkrete për këtë janë keto konkluza nga seancat qeveritare, ua sjellim një shembull si ai i 3 korrikut 2025, të cilin e publikojmë në dy gjuhë zyrtare dhe me përkthim të plotë”, thonë nga VLEN.
VLEN ka sjellë edhe konkluzën e Qeverisë të datës 29.12.2023 që siç shtojnë nga ky koalicion, është vetëm në gjuhën maqedonase.
“Në kohën e BDI-së, këto dokumente nuk ekzistonin në shqip. Sot ekzistojnë. Në kohën e BDI-së, përdorimi i shqipes simulohej. Sot, është realitet institucional.
Ne veprojmë. Ne zbatojmë ligjin. Ne e përdorim gjuhën shqipe me dinjitet, jo për marketing, por për barazi. Prandaj i bëjmë thirrje BDI-së të ndalë manipulimin me temën më të ndjeshme për shqiptarët. Nuk ka më vend për hipokrizi. Qytetarët e dinë se kush vetëm e ka përdorur gjuhën shqipe për vota dhe kush e përdor për dinjitet”, thonë nga VLEN.
Gjatë kontrollit të djeshëm, Portalb.mk verifikoi se 10 qershori ishte procesverbali i fundit i publikuar në gjuhën shqipe nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke konfirmuar përsëri problemin e vazhdueshëm të transparencës qeveritare. Megjithatë, zëvendëskryeministri Arben Fetai vazhdonte të këmbëngulë në mënyrë të pabazë se të gjitha procesverbalet janë të disponueshme në të dy gjuhët shqip dhe maqedonisht. Edhe kolegu i tij, Izet Mexhiti, ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, ndonëse faktet flasin të kundërtën.
Në një përballje të drejtpërdrejtë me gazetarin e Portalb.mk, Fetai refuzoi të pranojë realitetin, pavarësisht argumenteve të qarta dhe kontrollit të aty-për-atyshëm të uebfaqes zyrtare, ku u konstatua se procesverbalet e fundit janë publikuar vetëm në gjuhën maqedonase.
Mohimi i vazhdueshëm nga ana e Fetait,“Nuk është e vërtetë” u përsërit disa herë, edhe pasi u përmend se mungesa përfshin 10-20 seanca të fundit. Për ironi, vetë numri real i seancave pa përkthim – 16 – bie saktësisht brenda këtij intervali, gjë që Fetai e mohoi pa hezitim.
Kur gazetari lërkoi llogaridhënia për këtë mospërputhje midis realitetit dhe deklaratave që ata bëjnë, ndërhyri ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu i cili devijoi temën e diskutimit, duke bërë që të shmanget një përgjigje për një çështje thelbësore që vazhdon të përsëritet, garantimin e transparencës qeveritare.
Fetai u përpoq të justifikonte mungesën e procesverbaleve me “vonesa teknike” dhe publikim të “grumbull të procesverbaleve”, çështje që në vetvete përbëjnë një problem tjetër: Qytetarët nuk janë në kohë të informuar mbi seancat, pasi ato publikohen “grumbull”, pra disa seanca njëherësh, si dhe që mungesa sistematike e përkthimeve në shqip nuk është më vetëm çështje teknike por mungesë vullneti politik për zbatimin e shqipes në institucione.
Situatë të ngjashme, mospërputhje midis realitetit dhe deklaratave, patëm edhe para një muaji. Në vend se t’i përgjigjej qartë dhe drejt pyetjes së Portalb.mk se “Përse prej afro një viti Qeveria nuk i publikon vendimet dhe procesverbalet edhe në gjuhën shqipe?”, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti vendosi të sulmojë BDI-në, tashmë në opozitë, edhe pse përgjegjësia aktuale për këtë gjë bie mbi koalicionin qeverisës të VLEN-it, pjesë e së cilës është edhe ai vetë. Ajo që pasoi ishte përgjigje plot vetëbesim, por që përmbante një kundërthënie të thellë: fillimisht Mexhiti mohoi kategorikisht se procesverbalet mungojnë në shqip, për të shtuar menjëherë pas kësaj se “prej dje” ato janë edhe në shqip, duke konfirmuar pikërisht mungesën që sapo e mohoi.
“Nuk është e vërtetë (që procesverbalet nuk janë edhe në shqip). Procesverbalet, në vazhdimësi në Qeveritë e kaluara kanë qenë vetëm në maqedonisht. Vetëm ato muaj që ka qenë Talat Xhaferi ka pasur në dy gjuhë, ndërsa 20 vite të tëra Qeveritë e BDI-së i kanë pasur në një gjuhë dhe dje e keni parë edhe dallimin. Seancat që i udhëheq unë me procesverbale janë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa tash e tutje, për herë të parë, pa marrë parasysh se kush i udhëheq seancat qeveritare, pavarsisht se kush është kryeministër, edhe procesverbalet do të jenë në dy gjuhë, edhe në gjuhën shqipe, prej dje”, tha Mexhiti.
Redaksia jonë atë ditë, vëzhgoi faqen zyrtare dhe solli prova vizuale për të dëshmuar se procesverbalet mungojnë në shqip pothuajse që prej verës së kaluar, si dhe më herët.
Në mandatin e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Mickoski, ashtu sikurse raportuam muajin e kaluar, vetëm një procesverbal kishte publikuar në shqip, dhe ai mbante datën 11 korrik 2024. Seancat e qeverisë, në versionin shqip të uebfaqes janë madje në maqedonisht, tek-tuk me ndonjë informatë në shqip, por përsëri me mungesë të procesverbaleve.
Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla asnjëherë nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.