Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) sot u bëri thirrje dhe paralajmëroi pronarët dhe operatorët e dronëve që të jenë jashtëzakonisht të përgjegjshëm, të disiplinuar dhe të respektojnë rregullat gjatë përdorimit të mjeteve ajrore pa pilot. Arsyeja e këtij paralajmërimi është mbrojtja e sigurisë së helikopterëve policorë, të cilët gjatë kësaj periudhe kanë një angazhim të shtuar, duke marrë pjesë në shuarjen e zjarreve, vëzhgime, transport dhe detyra të tjera operative në të gjithë territorin e shtetit, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të natyrës dhe urgjencës së detyrave, vendi, koha dhe itinerari i lëvizjes së helikopterëve policorë nuk mund të parashikohen gjithmonë paraprakisht, veçanërisht gjatë ndërhyrjeve të lidhura me zjarret dhe ngjarje të tjera emergjente”, thonë nga MPB-ja.
Për këtë arsye, theksojnë nga ministria, është e nevojshme që rregullat për përdorimin e sigurt të hapësirës ajrore të respektohen në mënyrë të plotë.
Në këtë drejtim, MPB-ja paralajmëron se personat që nuk i plotësojnë kushtet ligjore për përdorimin e dronëve dhe nuk kanë autorizimet, regjistrimet dhe certifikatat përkatëse, kur ato kërkohen, nuk duhet t’i përdorin dronët në kundërshtim me rregulloret në fuqi.
Operatorët që i plotësojnë kushtet e përcaktuara, nga ana tjetër, janë të detyruar t’i kryejnë fluturimet ekskluzivisht në përputhje me rregulloret në fuqi të aviacionit, kufizimet e hapësirës ajrore dhe kushtet e përcaktuara nga autoritetet kompetente të aviacionit. Kjo, siç theksojnë nga MPB-ja, përfshin edhe njoftimet e nevojshme dhe koordinimin me shërbimet kompetente të kontrollit të fluturimeve.
“Nëse operatori i një droni vëren ose dëgjon një helikopter policor në afërsi, ai është i detyruar ta ulë menjëherë dhe pa vonesë dronin në mënyrë të sigurt. Në asnjë rast nuk duhet të drejtohet droni në drejtim të helikopterit, t’i afrohet atij, të ndjekë lëvizjen e tij ose ta filmojë nga afër. Veçanërisht theksojmë se prania e një droni në zonën ku vepron një helikopter paraqet rrezik serioz për sigurinë e fluturimit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Përplasja e një droni me një helikopter, theksojnë nga ministria, mund të shkaktojë dëmtime serioze, humbje të kontrollit mbi mjetin ajror dhe rrezikim të drejtpërdrejtë të jetës së ekuipazhit, si dhe të sigurisë së njerëzve dhe pronës në tokë.
Rreziku, siç shtojnë nga MPB-ja, është edhe më i madh gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve, kur helikopterët fluturojnë në lartësi të ulëta. Në kushte me tym, shikueshmëri të reduktuar dhe turbulenca, ndërsa ekuipazhi i helikopterit është i ngarkuar me punë, dallimi dhe shmangia e një mjeti të vogël ajror pa pilot – droni – mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë, shpjegojnë nga ministria.
“Shfaqja e një droni në zonën operative mund të çojë edhe në ndërprerjen ose shtyrjen e plotë të operacioneve të fluturimit, duke ulur drejtpërdrejt efikasitetin e ndërhyrjes dhe duke rrezikuar më tej popullsinë, zjarrfikësit, pronën dhe burimet natyrore”, shtojnë nga MPB-ja.
Nga MPB-ja thonë se do të ndërmarrin masa për identifikimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personave që, përmes përdorimit të paligjshëm ose të pasigurt të dronëve, rrezikojnë sigurinë e trafikut ajror dhe të mjeteve ajrore policore.
Për mosrespektimin e detyrimeve, ndaj këtyre personave do të ndërmerren masa kundërvajtëse, ndërsa aty ku parashikohet me ligj, edhe masa penale.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se për raste të ngjashme të evidentuara tashmë, shërbimet kompetente po veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore.
“Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe operatorëve të dronëve që të tregojnë përgjegjësi dhe disiplinë maksimale. Siguria e ekuipazheve që çdo ditë angazhohen për mbrojtjen e qytetarëve dhe për përballimin e zjarreve duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”, apelojnë nga ministria.