Mosmarrëveshjet për statutin, Ceferin reagoi pas dorëheqjes së Bobanit

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka reaguar pas dorëheqjes së Zvonimir Boban nga detyra e “Shefit të Futbollit” për shkak të mosmarrëveshjeve për ndryshimet në statutin e organizatës. Në një intervistë për italianen “La Repubblica”, kreu i institucionit europian të futbollit tha se ikona kroate nuk e meriton përgjigjen e tij, raporton Klan.

“Kush e njeh atë dhe mua do të nxjerrë në mënyrë natyrale konkluzionet. Kongresi nuk është vetëm një individ. Ka autoritetin që të përcaktojë përshtatshmërinë e çdo ndryshimi. Besojmë në procesin tonë kolektiv vendimmarrës demokratik, për të na udhëhequr në mënyrë efikase drejt të ardhmes”.

Boban e akuzoi atë se synonte që t’i garantonte vetes juridikisht rikandidimin në vitin 2027. Në lidhje me këtë, Ceferin tha se do të fliste kur të vinte momenti.

Boban e komunikoi vendimin e tij me anë të një letre të publikuar në mediat kroate. Sipas ish-lojtarit të Milanit dhe kombëtares kroate, nëse do të pranonte një vendim të gabuar, do të shkonte kundër principeve dhe vlerave të përgjithshme që beson thellësisht.

Boban iu bashkua organizatës në vitin 2021 si “shef i futbollit” dhe inicioi disa projekte të rëndësishme në zhvillimin teknik, duke përfshirë krijimin e Bordit të Futbollit të UEFA-s dhe Forumit Rinor të Futbollit.

Futboll futbollist(e)UEFA