Katër fitore nga katër ndeshje: Klubi i boksit “Shkëndija” shkëlqeu në xhiron e pestë të Kampionatit Ekipor

Klubi i boksit “Shkëndija” ka arritur një sukses të plotë në xhiron e pestë të Kampionatit Ekipor, duke triumfuar në të gjitha meçet në të cilat mori pjesë, njofton Portalb.mk. Me katër boksierë në ring dhe katër fitore bindëse, ekipi dëshmoi nivel të lartë teknik, taktik dhe përgatitje të shkëlqyer fizike në kategoritë e të rinjve dhe seniorëve.

Klubi i boksit “Shkëndija”. Foto nga klubi.

Në kategorinë deri në 54 kilogramë për grupmoshat U-17, boksieri Ilir Selmani vijoi serinë pozitive duke mbetur i pamposhtur dhe duke treguar disiplinë e talent të lartë gjatë gjithë përballjes. Po aq e suksesshme ishte paraqitja e boksierëve të grupmoshës U-19: Semi Elmazi (65 kg) dominoi meçin e tij duke detyruar këndin e kundërshtarit ta dorëzojë luftën me ndërprerje teknike (TKO-2) në raundin e dytë gjatë numërimit nga referi, ndërsa Donjet Ramani (70 kg) siguroi një fitore të shpejtë e bindëse me TKO që në raundin e parë. Suksesin e ekipit e rrumbullakoi seniori Muharem Muaremi në kategorinë deri në 85 kilogramë, i cili dominoi teknikisht dhe taktikisht kundërshtarin përgjatë të tria raundeve duke marrë një fitore të merituar me pikë.

Klubi i boksit “Shkëndija”. Foto nga klubi.

Përfaqësuesi i klubit, Jusuf Hashimi, theksoi se bilanci maksimal prej katër fitoresh është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të sportistëve dhe profesionalizmit brenda klubit. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për boksierët dhe stafin e trajnerëve të udhëhequr nga Lulzim Bajrami dhe Ylber Hasani, duke vlerësuar punën e tyre të pandalshme stërvitore që po përkthehet në rezultate konkrete në ring.

BoksiKB SHkëndija