Mitologji: Europa që akoma disa shtete i josh siç dikur e joshi Zeusin

Në monedhën ‘2 euro’ qëndron e stampuar Europa dhe Zeusi i shndërruar në dem. E dini se pas kontinentit te Europës fshihet një histori rrëmbimi dhe përdhunimi. Në Ditën e Europës risjellim mitin për lexuesit e Portalb.mk për të parë një shpegim interesant të themelimit të këtij kontinenti joshës.

Së pari e dimë se ne shqiptarët kemi pak konflikt në përcaktimin e një mënyre të vetme drejtshkrimi për fjalën Europë ose Evropë. Fjalori drejtshkrimor i 1972 thotë ta shkruajmë si e shkruanin grekët e lashtë Evropë, ndërkohë monedhën e po këtij kontinenti e shkruan “euro”. Më vonë u diskutua shumë, sa u vendosën si të sakta të dyja format, ose si gabim të dyjat varësisht nga argumentet që ofrojnë palët që duan të futen në debate gjuhësore. Disa gjuhëtarë janë të mendimit ta shkruajmë Europë ashtu siç edhe vetëquhet. Europa na shfaq probleme si fjalë por edhe në rrjedhën historike shqiptarët kanë ndier sikur Europa është ajo e vjetra, e pabesa që u hyri në hak shekuj me radhë.

Por, e dini që vet Europa si figurë mitologjike ka qenë e rrëmbyer dhe e përdhunuar nga Zeusi?!

Sipas mitologjisë greke, Europa ishte një princeshë e bukur, e bija e Agenorit dhe Telefazës, mbretërve të Tirit, një qytet në Mesdhe, sot në jug të Libanit.

Ajo një natë ëndërroi se dy gra po e tërhiqnin me sa fuqi kishin, njëra nga lindja e tjetra nga perëndimi. Njëra e paraqiste Azinë, atdheun e saj, ndërsa tjetra tokën përtej detit. Pra, aludimet janë të qarta.

Zeusi, kryezoti i Olimpit, u dashurua marrëzisht me të sapo e pa. Për tu afruar me princeshën që ishte nga vdekatarët për dallim prej tij, Zeusi përdori fuqitë e tija dhe u shndërrua në një dem të bardhë si një nga kafshët e pallatit.

Një ditë, e reja po ecte buzë detit, në shoqërinë e vajzave të tjera kur pa demin, i cili e magjepsi. Ajo iu afrua dhe filloi ta përkëdhelte. Zeusi e la ta prekte në mënyrë që ta fitonte besimin e saj.

Pasi Europa u bind se demi ishte i zbutur dhe nuk ishte në rrezik, ajo u ngjit në shpinë. Zeusi pabesisht e rrëmbeu princeshën dhe vrapoi drejt detit, notoi në ishullin e Kretës.

Pasi mbërritën atje, Zeusi mori formën e tij natyrore, duke i treguar se kush ishte. Mitologjia greke njeh disa raste të përdhunimeve dhe ky është njëri nga më të njohurit pas atij të Meduzës.

Europa dhe Zeusit lindën tre djem: Radamantin, Sarpedonin dhe Minosin.

Mbreti Agenor, babai i Evropës, ishte shumë i trishtuar sepse vajza e tij e dashur ishte zhdukur dhe ai dërgoi djemtë në kërkim të saj. Këta duhej të sillnin Europën ose të mos ktheheshin fare. Kadmi, Feniksi dhe Kiksi kërkuan motrën e tyre por nuk e gjetën për fat të keq. Meqenëse nuk mundën ta gjenin Europën, themeluan qytete të reja aty ku ndaluan: Kadmi Tebën; Feniksi Feniksinë dhe Kiksi, Kiksinë (Armeninë). Mund të thuhet se, pas zhdukjes së Europës, u formua një kontinent i ri që mbajti emrin e saj dhe që është Europa që akoma disa shtete i josh siç dikur joshi Zeusin.

EuroKultura shqiptareKulturë lajme