Misajllovski: Ushtarët profesionistë do të mund të qëndrojnë në Armatë edhe pas moshës 45-vjeçare

Ushtarët profesionistë do të kenë mundësi të vazhdojnë të punojnë si persona civilë në Armatë edhe pasi të mbushin 45 vjeç, deri në plotësimin e kushteve për pensionim. Reformën, pas seancës së sotme të Qeverisë, e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, në një konferencë për media, transmeton Portalb.mk.

Sipas reformës, çdo ushtar profesionist që mbush 45 vjeç do të ketë mundësi të zgjedhë nëse do ta shfrytëzojë opsionin e kompensimit për largim nga puna apo do të vazhdojë angazhimin në Armatë si person civil, duke e shndërruar marrëdhënien e punës nga kohë e caktuar në kohë të pacaktuar. Mbetet në fuqi edhe mundësia që ushtarët, pas mbushjes së moshës 45-vjeçare, të kalojnë në një institucion tjetër shtetëror.

“Me këtë reformë po krijojmë një zgjidhje që çdo ushtar të mund të qëndrojë si person civil në Armatë deri në plotësimin e moshës për pension pleqërie. Ushtarët më në fund do të mund të jenë të kënaqur dhe të sigurt, ashtu siç e meritojnë, edhe pas moshës 45-vjeçare. Mbeten të gjitha opsionet – kompensimi për largim nga puna, transferimi në institucione, ndërsa me këtë reformë krijojmë mundësinë që çdo ushtar të qëndrojë si person civil në Armatë. Kjo është një reformë për të cilën kemi punuar për një kohë të gjatë dhe që buron nga Armata, si dhe mbështetet nga sindikatat”, deklaroi Misajllovski në konferencën e sotme për media.

Përveç zgjidhjes së statusit të ushtarëve profesionistë, Misajlovski tha se, pas bisedimeve me ministren e Financave, është arritur marrëveshje për nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive dhe rritjen e pagave në Armatë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Sashko Lafçiski, sqaroi se ushtarët që do të mbushin 45 vjeç dhe do të vendosin ta shndërrojnë marrëdhënien e punës do të angazhohen në sigurimin e objekteve ushtarake. Kështu, komandat dhe njësitë do të lirohen nga kjo detyrë shtesë.

“Pa përjashtim dhe sipas rregullit, kjo është një detyrë dytësore, tretësore, një obligim dhe, do të thosha, një detyrim shtesë për ato komanda dhe njësi. Duke pasur parasysh misionin dhe detyrat e tyre thelbësore, kjo paraqet gjithmonë ngarkesë shtesë. Me këtë zgjidhje të propozuar, këtë detyrim shumë të rëndësishëm do ta marrin përsipër pikërisht ushtarët profesionistë. Ju siguroj se nuk ka personel më të përshtatshëm sesa ushtarët profesionistë që do të vendosin ta shndërrojnë marrëdhënien e punës për ta kryer këtë detyrë”, deklaroi Lafçiski.

Ministri i Mbrojtjes tha se, që nga paralajmërimi i kësaj reforme, është rritur ndjeshëm interesi i ushtarëve për të qëndruar në Armatë, gjë që, sipas tij, është një sinjal i mirë.

Armata e Maqedonisë së Veriut (ARM)Ministria e Mbrojtjes (MM)