Mirjeta Baraliu: Arti te ne shpesh përballet me moralizim, presion social dhe politik që e kufizon guximin

Filmi nuk është vetëm art, por edhe pasqyrë e shoqërisë, kujtesës dhe identitetit. Pikërisht në këtë kryqëzim mes medias dhe kinemasë vepron prej vitesh Mirjeta Baraliu, redaktore e Redaksisë së Filmit dhe Serialeve në Radio Televizionin e Kosovës, kritike filmi dhe producente, e njohur për angazhimin e saj në promovimin e kulturës dhe filmit kosovar brenda dhe jashtë vendit. Në intervistë për Portalb.mk, Baraliu foli për sfidat e filmit kosovar, rolin e medias publike, raportin mes artit dhe tregut, si dhe për gjeneratat e reja të krijuesve që po kërkojnë zërin e tyre.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë realisht të jesh producente filmi sot nga Kosova, pushtet krijues apo luftë e përditshme për mbijetesë?

Mirjeta Baraliu: Të jesh producente e televizionit dhe filmit në Kosovë sot do të thotë të jesh njëkohësisht vizionare dhe e pandalur, është një kombinim i dy elementeve: ambicies, këmbënguljes për profesionalizëm dhe dashurisë për të endërruar e krijuar dhe mbijetesës konstante. Producenti ka pushtet krijues dhe vendimmarrës, por në realitet ky pushtet vihet vazhdimisht në provë nga mungesa e fondeve, infrastruktura e brishtë dhe pasiguria institucionale. Prodhimi i filmit është një proces i vazhdueshëm negocimi mes asaj që dëshiron të krijosh dhe asaj që është e mundur. Shpesh nuk është çështje komoditeti artistik, por mbijetesë profesionale dhe këmbënguljeje për të mos hequr dorë nga cilësia. Andaj prodhimi i filmit në Kosovë është akt rezistence, jo luks.

Portalb.mk: Çfarë do të thotë realisht të jesh producente televizioni dhe filmi sot në Kosovë, pushtet krijues apo luftë e përditshme për mbijetesë?

Mirjeta Baraliu: Të jesh producente filmi nga Kosova sot është një kombinim i dy elementeve: vizionit krijues dhe mbijetesës konstante. Pushteti krijues ekziston vetëm nëse arrin ta mbrosh iden tënde nga kompromiset e imponuara nga mungesa e fondeve, infrastruktura e brishtë dhe pritshmëritë e jashtme. Në shumicën e rasteve, prodhimi është më shumë këmbëngulje, besim në procesin e punës dhe dashuri për atë që bën. Ndërsa në televizion është pak më ndryshe, e kam përshtypjen më e lehtë. Jam rritur duke punuar në televizionin e Kosovës që nga mosha 17 vjeqare, tashmë kam 26 vite përvojë por për mua të prodhuarit në televizion është pjesë e jetës është adrenalinë dhe ushqim i shpirtit. Kam pasur fat të prodhoj si autore dhe producente emisionin më jetëgjatë në shqiptari “Telekino” qe i dedikohet filmit. Me ç’rast kam përcjellur festivalet më prestigjioze të filmit në botë duke përfshirë Cannes, Berlinale, Sundance, Hollyëood në kohën kur Kosova nuk ishte ende shtet. Përmes Telekinos kemi sjell për publikun tonë me qindra intervista të personaliteteve më të njohura të filmit në botë. Tash e 13 vite aktualisht jam edhe anëtare e Akademisë Europiane të Filmit EFA në cilësinë e producentes.

Portalb.mk: Cili është kompromisi më i madh që bën një autor nga Kosova për të hyrë në Cannes apo Berlinale?

Mirjeta Baraliu: Kompromisi më i madh është narrativi. Shpesh pritet që historia të jetë “e lexueshme” për Perëndimin, që dhimbja të jetë e qartë, e strukturuar dhe ndonjëherë e parashikueshme. Sfida është të mos e thjeshtosh realitetin tënd vetëm për t’u pranuar. Jam kundër asaj që të prodhojmë filma me tema që janë në trend ose sepse kështu i kërkojnë festivalet. Mendoj që duhet të tregojmë rrëfimet që na karakterizojnë ne si popull pa dashur të lajketojmë askënd, ngase kemi mjaft çka për t’i treguar botës.

Fotografi nga arkivi personal i Mirjeta Baraliut. Foto: Mirjeta Baraliu

Portalb.mk: A po e shesim Kosovën në festivale si histori vuajtjeje për të marrë duartrokitje? A na sheh bota si krijues apo si rast social

Mirjeta Baraliu: Kosova po prezentohet shumë mirë në Festivale të filmit, filmat tanë po marrin pjesëë madje edhe po shpërblehen. Mendoj që kemi kineast të talentuar dhe bota mirëpret tregimet tona si interesante industri e vogël por talent i jashtëzakonshëm. Është edhe përgjegjësi e jona të krijojmë vepra me vlerë që konkurojnë tregun që të tregojmë histori sidomos nga lufta që kemi kaluar.

Portalb.mk: A është arti i lirë kur financohet nga politika dhe fondet shtetërore?

Mirjeta Baraliu: Arti mund të jetë i lirë vetëm nëse krijuesi ka integritet. Fondet shtetërore nuk janë problem në vetvete; problemi lind kur ato shoqërohen me pritshmëri ideologjike, autocensurë ose heshtje të detyruar. Liria artistike kërkon distancë kritike, edhe nga ata që financojnë. Fondet shtetërore duhet të jenë burim financues i talënteve jo klaneve duhet suportuar më të mirët jo miqtë.

Portalb.mk: Si duket Kosova nga salla e festivaleve botërore, shtet serioz apo projekt në pritje?

Mirjeta Baraliu: Filmat dhe autorët tanë po e sfidojnë këtë perceptim tuajin duke treguar se serioziteti nuk vjen vetëm nga shteti, por nga zërat individualë. Kemi filma të jashtëzakonshëm që po rrugëtojnë nëpër festivale e që po priten me interesim nga audienca.

Portalb.mk: Cili ka qenë momenti kur je ndjerë e censuruar, edhe pa ta thënë askush hapur?

Mirjeta Baraliu: Momenti më i fortë i censurës është ai i heshtur: kur e kupton se një ide “nuk është e përshtatshme”, jo sepse është e gabuar, por sepse prish rehatinë e dikujt. Mua personalisht nuk me ka ndodhur, uroj të mos i ndodh askujt. Kam pasur fat të punoj atë që kam dashur gjithmonë.

Fotografi nga arkivi personal i Mirjeta Baraliut. Foto: Mirjeta Baraliu

Portalb.mk: Nëse do të bëje një film për Kosovën sot, do të ishte dramë, tragjikomedi apo thriller politik?

Mirjeta Baraliu: Pa dyshim një film që tregon luftën tonë, peripecitë dhe vuajtjet e këtij populli. Deri tani askush asgjë nuk ka bërë në këtë drejtim, nuk e di arsyjen pse, kaq vite kanë kaluar nga paslufta dhe ende se kemi një film me buxhet të madh që portretizon të vërtetën e fatit të popullit tonë. Kjo do duhej të ishte prioritet i qeverisë përveç suportimit të kineastëve edhe të marrjes së iniciativës për të prodhuar një film me vlera për luftën në Kosovë.

Portalb.mk:A ka gra në film vetëm për kuotë apo për meritë reale?

Mirjeta Baraliu: Edhe pse gratë kineaste po na zbardhin fytyrën, megjithatë ende ekziston rreziku i kuotës simbolike. Por gjithnjë e më shumë po shoh gra që janë aty për meritë reale, profesionalizëm dhe vizion. Sfida është që prania e grave të mos jetë lajm, por normalitet.

Portalb.mk: A është kultura jonë më e guximshme jashtë vendit sesa brenda tij?

Mirjeta Baraliu: Po. Jashtë ka më pak frikë nga gjykimi lokal dhe më shumë hapësirë për eksperimentim. Brenda vendit, arti shpesh përballet me moralizim, presion social dhe politik, që e kufizon guximin. Më pengon kur sukseset vlerësohen vetëm nga jashtë, ka kineast të mrekullueshëm në Kosove por vetëm kur marrin çmime jashtë vendit sikur kjo i validon dhe ju jep vlerë. Mendoj se duhet çmuar dhe vlerësuar ata që i kemi ne dhe atë që bëjnë në vendin tonë, jo domosdoshmërisht ti glorifikojmë dhe ti japim meritat vetëm kur prezantohen jashtë vendit.

Portalb.mk: Cili është projekti yt i radhës që publiku duhet ta presë? A do të shohim së shpejti një bashkëprodhim ndërkombëtar nga ti?

Mirjeta Baraliu: Jam duke zhvilluar një projekt bashkëprodhim ndërkombëtar. Është ende në fazë zhvillimi, por synimi është që së shpejti publiku të shohë një vepër që flet shqip, por komunikon universalisht.

Barazi gjinoreFilmaGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme