Katër biznesmenë nga Serbia, të afërt me pushtetin aktual, janë përfshirë në një listë personash ndaj të cilëve kongresisti republikan amerikan, Joe Wilson, ka kërkuar vendosjen e sanksioneve nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në listën e personave për të cilët propozohen sanksione, janë: Ivan Boshnjak dhe Stojan Vujko, nga kompania Millennium Team, Davor Macura nga Alta Banka, dhe Zhelko Mitroviq, pronar i televizionit Pink.
Sipas letrës së 14 tetorit, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, Wilson kërkon që këtyre katër biznesmenëve t’u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i sistemit financiar amerikan.
Wilson i është drejtuar sekretarit amerikan të Shtetit në cilësinë e bashkëkryesuesit të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i njohur si Komisioni amerikan i Helsinkit.
Në kërkesë, katër biznesmenët përshkruhen si bashkëpunëtorë të ish-presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët i shfrytëzojnë burimet publike për pasurim personal.
“Ata mbajnë në këmbë regjimin e tij të korruptuar, kanë vepruar për të minuar interesat e SHBA-së në Serbi dhe në rajon, si dhe janë përfshirë në mënyrë aktive në manipulimin e zgjedhjeve të 25 tetorit”, thuhet në letër.
Millennium Team dhe Alta Banka i kanë hedhur poshtë këto pretendime në përgjigjet e tyre për Radion Evropa e Lirë, duke i cilësuar si të pavërteta, ndërsa Zhelko Mitroviq nuk u është përgjigjur drejtpërdrejt akuzave.
Asnjëra nga këto tri kompani nuk është nën sanksione ndërkombëtare dhe nuk ka qenë as në të kaluarën.
As biznesmenët Ivan Boshnjak, Stojan Vujko dhe Davor Macura nuk janë sanksionuar ndonjëherë.
Përjashtim bën Zhelko Mitroviq, pronari i televizionit Pink, i cili ishte sanksionuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për koment.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi shihen si një nga sfidat më të mëdha elektorale për Vuçiqin, i cili këtë herë kandidon për kryeministër.
Ai dhe Partia e tij Përparimtare Serbe kanë qenë në pushtet në Serbi gjatë 14 vjetëve të fundit.
Ndryshe, në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut ka hyrë një bankë me pronësi nga Serbia. Në maj të vitit 2025, banka serbe “ALTA Banka” ShA Beograd e bleu “Stopanska” Bankën Manastir, një proces ky që u krye me pëlqimin zyrtar të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Sa i përket pronarit të “Alta Group”, mediat serbe shkruajnë se bëhet fjalë për Davor Macurën, për të cilin e përjavshmja “Radar” publikoi një artikull më 31 korrik të atij viti me titullin “Më i përparuar edhe se progresivët”. Sipas hulumtimit të “Radar”, sukseset e tij në biznes u rritën ndjeshëm me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiqit. Sipas marrëveshjes së re të bankës me Kompaninë Serbe të Energjisë Elektrike (EPS), qytetarët e Beogradit detyrohen t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike direkt në llogarinë e hapur në “Alta Bank”.