Ministria e Shëndetësisë sqaron se nuk ka kompetenca direkte në veprimtarinë shkencore-kërkimore lidhur me mostrat e trurit. Kjo veprimtari, shtojnë ata rregullohet nga një kornizë e rreptë ligjore që përfshin ligje, rregullore dhe udhëzime specifike për materialin biologjik. Procedurat kanë kërkuar pëlqimin e informuar të familjes, miratim etik dhe leje për eksport të indeve për qëllime shkencore. Dokumentacioni është ruajtur sipas afateve ligjore, të cilat janë zgjatur nga 15 në 25 vjet pas vitit 2018. Ministria thotë se eksporti i materialit biologjik lejohet vetëm mbi bazën e marrëveshjeve formale ndërinstitucionale me protokolle të qarta dhe të detajuara, transmeton Portalb.mk.
“Në lidhje me temën aktuale në opinionin publik për studimin shkencor mbi mostrat e trurit ndërmjet Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe ASHAM-it, theksojmë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në zbatimin e veprimtarisë shkencore-kërkimore. Nga Fakulteti i Mjekësisë jemi informuar se veprimtaria shkencore-kërkimore e lidhur me material biologjik që përmban karakteristika gjenetike është subjekt i një rregullimi të rreptë normativ, siç janë Ligji për Veprimtari Shkencore-Kërkimore, Rregullorja për Hulumtime Klinike, Udhëzimi për mënyrën e veprimit gjatë transferimit dhe transportit të materialeve biologjike, si dhe rregullat për paketimin dhe shënjimin e materialeve biologjike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ata theksojnë se në periudhën e përmendur obligimi ligjor për ruajtjen e kësaj dokumentacioni ka qenë 15 vjet, ndërsa nga viti 2018 e tutje obligimi ligjor për ruajtjen e dokumentacionit është 25 vjet.
“Procedura për transportin e indeve në atë periudhë ka përfshirë: dhënien e pëlqimit të informuar nga familja, pas së cilës ka vijuar vendimi i Komisionit Etik për Hulumtime te Njerëzit, për të vazhduar më tej procedura me lejen për eksport të indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, ku është specifikuar qartë se indi përdoret për veprimtari shkencore-kërkimore dhe për cilat qëllime shfrytëzohet materiali. Në mënyre plotësuese, sqarojmë se kur bëhet fjalë për eksport të materialit biologjik, para fillimit të procedurës është e domosdoshme që ndërmjet institucioneve shkencore në vend dhe jashtë vendit, të cilat kërkojnë miratim për eksport të materialit biologjik, të ekzistojë një marrëveshje formale (memorandum), ku përcaktohen dhe saktësohen protokolle të detajuara në përputhje me rregullativën dhe kornizën normative aktuale. Këto protokolle përfshijnë kushte të rrepta dhe të përcaktuara qartë për çdo veprim me materialin biologjik, arsyen e kryerjes së hulumtimit, si dhe mënyrën e marrjes, transportit, pranimit nga institucioni përkatës dhe trajtimin e mëtejshëm të materialit biologjik”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në grupin e lajmeve vendase, një pasazh që po transmetohet si një fragment nga një hulumtim mbi ketaminën (një ilaç rreth 50-vjeçar, sot përsëri i rëndësishëm si një antidepresiv i shpejtë potencial) paraqitet si “email tronditës”. Pasazhi përshkruan një bankë me rreth 1,000 trurë njerëzish në një institucion amerikan, me mostra edhe nga Ballkani, ku Maqedonia citohet si vendi që dorëzoi mostrat “më të freskëta” përmes një kanali akademik, me detaje rreth ngrirjes, transportit dhe etiketimit të shpejtë.
Pika kryesore është se i njëjti tekst në disa nga botimet vendase lexohet në dy mënyra të kundërta. Njëra është relativisht e matur: se ka të bëjë me logjistikën shkencore dhe hulumtimin që lidhet me ndryshimet e trurit në vetëvrasje. Tjetra shkon një hap më tej dhe, pa prova, bën pretendime për “korrje të organizuar të trurit”, “shitje” dhe “tregtarë”, duke cituar një postim në rrjetet sociale dhe duke përdorur formulime të tilla si “informacion i pakonfirmuar”.