Ministria e Financave i pagoi Bankës Zhvillimore transhenë e re të pestë në vlerë prej 700.9 milionë denarëve ose 11.3 milionë euro, mjete të destinuara për përkrahjen e kompanitë vendase, transmeton Portalb.mk.
“Mjetet u transferuan nga Buxheti në bazë të kërkesës së parashtruar nga Banka Zhvillimore, ndërsa pas aprovimit të projekteve do të transferohen nga bankat afariste. Në Buxhetin e vitit 2025 janë parashikuar gjithsej 250 milionë euro për përkrahjen e ekonomisë vendase dhe kompanive vendase. Deri më tani, ndaj kompanive vendase janë transferuar pesë transhe, në vlerë të përgjithshme prej 171.1 milionë eurove. Mjetet për përkrahjen e ekonomisë vendase u siguruan nëpërmjet huasë nga Banka Hungareze e Eksport-Importit, me qëllim të plasimit të mjeteve me kushte të favorshme për realizimin e investimeve në sektorin privat. Deri më tani, shfrytëzimi i kësaj linje kreditore nga kompanitë vendase është 68%”, thonë nga Ministria e Financave.
Kujtojmë se transheja e parë u realizua në mars nga Ministria e Financave prej 10.4 milionë eurove.
Transferimi u realizua me kërkesë të Bankës Zhvillimore për tërheqjen e mjeteve dhe pas miratimit të projekteve nga bankat afariste.
Në buxhetin e vitit 2025 janë planifikuar 250 milionë euro mjete për përkrahjen e kompanive vendase, të cilat do ta stimulojnë zbatimin e një cikli të ri investimesh në sektorin privat, i cili do të ndikojë në stimulimin e aktivitetit ekonomik.
Kujtojmë se kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë, që më vonë u zbulua se është Hungaria. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro.