Hristijan Mickoski dhe “miliardat e Tajvanit”, për çfarë po flet lideri i VMRO-së?

Printscreen nga çasti kur Hristijan Mickoski njofton për një “paketë financiare” nga një qeveri e huaj dhe një normë atraktive interesi, gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin “Vetëm intervistë” në TV Kanal 5, që u transmetua më 9 maj të vitit 2024, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i mundshëm i ardhshëm Hristijan Mickoski, në emisionin “Vetëm intervistë“ në TV Kanal 5, më 9 maj të vitit 2024 njoftoi për një  “paketë financiare” prej një miliard eurosh “me kushte jashtëzakonisht të favorshme”, si pjesë e “bashkëpunimit qeveri me qeveri”.

Në pyetjen nëse ky ishte një “miliard i ri nga Tajvani” Mickoski u përgjigj:

“Nuk e di tani, kur themi miliarda nga Tajvani, ndoshta tingëllon si shumë vulgare sepse atëkohë ato ishin rrethana ndryshe dhe marrëdhënie ndryshe, por mund të them se në njëqind ditët e para ne kemi një agjendë shumë ambicioze për të cilën ne veçmë jemi përgatitur, por nuk donim ta eksploatojmë në fushatë”.

Pastaj, pasi udhëheqësi pyeti nëse kjo do të ishte një kredi nga një shtet tjetër, Mickoski tha:

“Po, po. Në bazë qeveri me qeveri, e cila do të ndihmojë shumë, me një periudhë të caktuar të shtyrjes së pagesave, me një normë interesi shumë atraktive e kështu me radhë”.

Mickoski nuk shpjegoi as se për cilin shtet bëhet fjalë, as se për cilin sektor ekonomik do të përdoren paratë, as se në çfarë cilësie ka negociuar me një shtet të huaj, duke pasur parasysh se ende nuk mban asnjë funksion shtetëror.

Përndryshe, shprehja “miliarda nga Tajvani” i referohet premtimit të partnerit të koalicionit të qeverisë VMRO-DPMNE nga viti 1998, Alternativës Demokratike (DA), ose më saktë kryetarit të saj të atëhershëm Vasill Tupurkovski. Ai atëkohë njoftoi për një investim prej një miliard dollarësh në këmbim të njohjes së Tajvanit. Kryeministër në atë kohë ishte Ljubço Georgievski nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ndërsa Tupurkovski u emërua në postin e drejtorit të Agjencisë për Rindërtim dhe Zhvillim.

Maqedonia më pas e njohu Tajvanin, pas çka Kina i ndërpreu menjëherë marrëdhëniet diplomatike. Si rezultat i njohjes së Tajvanit Kina më 25 shkurt të vitit 1999 në Këshillin e Sigurimit të OKB-së vuri veton ndaj zgjatjes së mandatit të UNPREDEP në vend si një mision paqeruajtës ushtarak. Disa analistë besojnë se kjo krijoi kushte që dy vjet më vonë në vend të fillonte konflikti i armatosur mes pakicës etnike shqiptare dhe qeverisë së atëhershme. Ky konflikt përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001 dhe formimin e BDI-së si parti politike me në krye Ali Ahmetin, e cila ka qenë pothuajse gjatë gjithë kohës në pushtet (përveç në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2008).

Krahas miliardës, Mickoski në intervistë tha se “tashmë ka përfunduar një investim serioz i huaj që është nisur në fushën e energjetikës”, gjithashtu pa sqaruar se si është arritur marrëveshja për këtë investim.

Ai shtoi se investimi do të ishte “pa ligje të veçanta, pa çmim të garantuar blerjeje, pa kush e di se çfarë privilegjesh e kështu me radhë”, duke iu referuar investimit të paralajmëruar të qeverisë në autostradat 8 dhe 10-d që do të ndërtohen nga konsorciumi Bechtel dhe Enka dhe për të cilin u ndryshuan disa ligje.

Sipas Mickoskit ky investim në energjetikë do të sillej nga 400 deri në 500 milionë euro dhe për prodhimin e rreth 1 teravat orë energji elektrike në vit.

Mickoski njoftoi edhe se do të ketë edhe dy investime të tjera të huaja, pa specifikuar asgjë, por kinse për realizimin e tyre investitorët e huaj kanë kërkuar që të largohet drejtori aktual i TIRZ-it, Jovan Despotovski.

Përndryshe, pikërisht Jovan Despotovski, menjëherë pas disfatës së LSDM-së në zgjedhjet e dyfishta, u pozicionua si lider i ri potencial i LSDM-së që së shpejti do jetë në opozitë.

Hristijan Mickoski HristianTajvaniVMRO-DPMNE