Sot, në Venedik, u mbajt seanca e 114-të plenare e Komisionit Evropian për Demokraci, në të cilën u miratua mendimi i përbashkët mbi Projektligjin për Prokurorinë Publike dhe Projektligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, njoftoi Ministria e Drejtësisë, transmeton Portalb.mk.
“Në mendimin e miratuar, Komisioni dha vlerësim pozitiv për procesin dhe përmbajtjen e ligjeve të zhvilluara, duke përshëndetur përpjekjet reformuese të Ministrisë së Drejtësisë. U tregua se të dy projektligjet përputhen me standardet ndërkombëtare dhe zbatojnë të gjitha rekomandimet. U dhanë gjithashtu disa sugjerime shtesë me qëllim përmirësimin e teksteve ligjore.
Kjo konfirmon se ligjet janë plotësisht në përputhje me parimet evropiane për profesionalizëm dhe efikasitet të shërbimit të prokurorisë publike, si dhe me standardet për funksionim transparent dhe të përgjegjshëm të Këshillit të Prokurorëve Publikë”, thonë nga Ministria.
Në seancën plenare, në emër të Ministrisë së Drejtësisë, iu drejtua seancës plenare Aleksandra Deanoska Trendafilova, si kryetare e Grupit Punues që përgatiti dy ligjet.
“Ky mendim pozitiv është një konfirmim i rëndësishëm i angazhimit tonë evropian, qasjes transparente dhe gjithëpërfshirëse që zbatojmë në procesin e reformimit të gjyqësorit dhe angazhimit për ndërtimin e një sistemi ligjor që pasqyron standardet më të larta të demokracisë, drejtësisë dhe integritetit. Të dy ligjet janë pjesë e Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian me afat deri në dhjetor 2025”, shtojnë nga Ministria.
Komisioni Evropian në shtator publikoi tabelën e rezultateve të Programit të Zhvillimit dhe Reformës në Ballkanin Perëndimor , ku Maqedonia kishte përparim modest. Sipas tabelës zyrtare të Mekanizmit të reformës dhe rritjes, Maqedonia ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuar deri në dhjetor 2024, ose 40% të detyrimeve të parashikuara. Për këtë, ajo mori rreth 8.5 milionë euro. Megjithatë, kur bëhet fjalë për objektivat që duhen arritur deri në fund të vitit 2025 – pamja është dukshëm më e keqe: asnjë nga 19 reformat e planifikuara nuk është zbatuar.