Vendi i nuk i realizoi të gjitha hapat që duheshin bërë deri në dhjetor, prandaj edhe BE liroi vetëm një shumë të caktuar të parave për Maqedoninë e Veriut. Me Vendim të Komisionit Evropian për zbatimin dhe miratimin e lirimit të parë të mjeteve për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor, u miratua pagesa e parë e mjeteve për vendin tonë. Me këtë Vendim janë miratuar neto shuma prej rreth 2.3 milionë euro si ndihmë e pakthyeshme, dhe si shumë neto prej rreth 2 milionë euro si huamarrje, të cilat do të jenë të disponueshme përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, dhe shuma neto prej rreth 3.7 milionë euro, që përfaqëson pjesën e mbetur të huamarrjes të dedikuar për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, transmeton Portalb.mk.
Në këtë shumë nuk janë përfshirë rreth 3.6 milionë euro, të cilat janë të dedikuara për shlyerjen e një pjese të mjeteve të cilat shteti i ka arkëtuar më parë si parafinancim.
Mjetet janë siguruar pas dorëzimit të Kërkesës nga ana e ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, i cili, si Koordinator nacional për Instrumentin për reforma dhe rritje, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa përmes Ministrisë për Çështje Evropiane, e dorëzoi të gjithë dokumentacionin për hapat nga Agjenda reformuese 2024–2027, me afat të realizimit deri në dhjetor të vitit 2024 (respektivisht deri në shkurt të vitit 2025).
Kërkesa përfshinte reformat në më shumë fusha: Në fushën e menaxhimit të financave publike ishin paraparë ndryshime ligjore për menaxhim buxhetor më efikas dhe më transparent. Në fushën energjetikë u krijuan struktura të reja menaxhuese për zbatimin e planit për tranzicion të drejtë. Në fushën e mjedisit të biznesit u vendosën rregulla të reja për pavarësi në menaxhimin me kompanitë shtetërore. Në fushën e sundimit të ligjit u parashikuan masa për plotësimin e rregullt të pozicioneve të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë në përputhje me projeksionet afatgjata të këshillave kompetent.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, plotësisht janë realizuar dy hapa: sjellja e Ligjit për Kontroll të Brendshëm Financiar Publik dhe ndryshimet e Ligjit për Shoqatat Tregtare.
“Kjo paraqet 40 për qind të realizimit të hapave, gjegjësisht 50 për qind në raport me mjetet. Për hapat e mbetur, Komisioni konstatoi se nuk janë realizuar plotësisht dhe për to është paraparë periudhë shtesë (grace period) deri në 24 muaj, përkatësisht deri në muajin dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se shteti ka kohë shtesë për realizimin e tyre dhe për lirimin e mjeteve të mbetura nga mjetet e përgjithshme të alokuara, të cilat arrijnë një shumë prej rreth 17,1 milionë euro”, thonë nga MÇE.
Për marrjen e mbi 17 milionë eurove për vitin 2024 të destinuara nga Agjenda e Reformave, vendit i duhej të miratonte disa reforma dhe ligje deri në fund të dhjetorit 2024, që ishte kohë e shkurtër, pasi deri në mesin e dhjetorit shumicat prej tyre nuk ishin zbatuar. Kur Portalb.mk, pyeti në janar të këtij viti në Ministrinë për Çështje Evropiane (MÇE) dhe Qeveri, se a janë zbatuar të gjitha këto reforma pa hyrë viti 2025, ashtu sikurse e kërkon Agjenda e Reformave, nga këto institucione atëkohë than[ se reformat janë bërë dhe se nuk ka vonesa, ndërsa paratë pritet të merren ne tremujorin e parë të këtij viti. Tani rezulton se këto reforma nuk ishin realizuar.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.