Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, së bashku me Ministrin për Punë të Brendshme, Panço Toshkovki, kanë paralajmëruar masa me qëllim lehtësimin e kalimit në pikat kufitare me Kosovën dhe Serbinë, veçanërisht në Bllacë dhe Tabanoc, transmeton Portalb.mk.
“Në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski (pas informacionit të dhënë në mbledhjen e Qeverisë), për gjetjen e zgjidhjes së problematikave që lidhen me radhët pafund të krijuara në kufi, u vendos që urgjentisht të sigurohen kushte (mjete), të cilat do të mundësojnë pajisjen me mjete që bëjnë regjistrimin e të dhënave në mënyrë elektronike”, deklaroi Limani.
Ai tregoi edhe masat tjera që do të merren në zgjidhjen e këtij problemi: hapja e dy “linjave”, të cilat do të shfrytëzohen vetëm për mërgatën në sezonet e ardhjes së Tyre në vendlindje; trajtimi i mërgatës në mënyrë të veçantë, duke u mundësuar lehtësi në proceduarat e identifikimit; takime urgjente të organeve ndërkufitare me Kosovën dhe Serbinë, për të implementuar sistemin e integruar (verifikimi i dokumentacioneve në një pikë të përbashkët), për shmangien e vonesave.
Ministri Limani theksoi që prioriteti ka pika kufitare e Tabanocit dhe Bllacës.
“Me theks të veçantë u trajtua çështja e ndëshkimit të kriminelëve, të cilët sollën shoqërinë në pozitën e braktisjes së vendit nga dëshpërimi”, deklaroi Limani.
Ndryshe, në muajin qershor, përfaqësuesit e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës kanë filluar punimet për finalizimin e procesit të krijimit të pikave të përbashkëta kufitare në dy pikat kufitare.
Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është ratifikuar marrëveshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për marrëveshjen kufitare ndërmjet këtyre dy shteteve. Në muajin shkurt të këtij viti u formua Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje mundëson një pikë kufitare. Ky vendim përfshin kalimin kufitar “Bllacë-Hani i Elezit” dhe “Jazhincë-Glloboçicë”. Maqedonia e Veriut më 31 korrik të vitit 2023 ka filluar zbatimin e pikës së përbashkët kufitare në pikën kufitare Qafthanë me Republikën e Shqipërisë.
- LEXO: Një pikë e përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ambasadori i bindur se do të ndodh së shpejti
- LEXO: Kufiri i përbashkët ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, u ratifikua marrëveshja në Kuvendin e RMV-së
- LEXO: Pikë e përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës
- LEXO: Për rrugën Tetovë-Prizren është e nevojshme një analizë e mirë dhe koordinim i saktë i të dy vendeve, vlerësoi Boçvarski