Ministrat e BE-së do të mbajnë bisedime për Gazën dhe për rritjen e përkrahjes për Ukrainën

Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtme të Bashkimit Evropian do të bisedojnë për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, si dhe për gjendjen e rënduar në Rripin e Gazës gjatë dy ditëve të bisedimeve në Kopenhagë, të cilat nisin të premten, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Takimi zhvillohet një ditë pasi Rusia e bombardoi kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, duke i vrarë të paktën 21 njerëz, përfshirë fëmijë, dhe duke plagosur të paktën 48 të tjerë.

Ministrat e Mbrojtjes të BE-së do t’i hapin bisedimet të premten mbi mënyrat për ta rritur mbështetjen ushtarake për Kievin dhe për ta rritur bashkëpunimin e bllokut me industrinë e mbrojtjes së Ukrainës, duke pasur parasysh kufizimet e Shteteve të Bashkuara në mbështetjen me armë.

Bisedimet e ministrave të Jashtëm të shtunën do të përqendrohen në planet për sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, me synim që të ushtrohet trysni mbi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për ta pranuar një armëpushim dhe për t’u angazhuar në bisedime për paqe.

Kohët e fundit BE-ja ka vënë në shënjestër të ashtuquajturën “flotë në hije” të Moskës, anije të përdorura për të shmangur kufizimet e eksportit të energjisë, si dhe të ardhurat energjetike të saj.

Gjithashtu pritet të diskutohet për garanci të mundshme sigurie për Ukrainën pas përfundimit të luftës, si edhe për mënyrën e trajtimit të aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse në BE, që arrijnë shumën prej rreth 210 miliardë euro.

Ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Islandës, Norvegjisë dhe Mbretërisë së Bashkuar janë ftuar në Kopenhagë për t’u bashkuar me homologët e tyre të BE-së.

Edhe lufta në Gazë në rend dite

Edhe lufta në Gaza është pjesë e rendit të ditës të shtunën.

BE-ja është e ndarë për mënyrën se si duhet të përgjigjet ndaj një raporti të brendshëm, i cili gjeti se veprimet e Izraelit në këtë territor të shkatërruar bien ndesh me marrëveshjen BE-Izrael që i detyron të dyja palët t’i respektojnë të drejtat e njeriut.

Derisa disa vende të BE-së, përfshirë Francën dhe Spanjën, e mbështesin një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, të tjera si Gjermania janë kundër sanksioneve.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, dhe prej atëherë, më shumë se 62.122 palestinezë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit.

Përveç këtij bilanci, 154 të rritur kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me kequshqyerjen nga fundi i qershorit, kur Ministria nisi t’i llogariste këto raste, dhe 112 fëmijë kanë vdekur nga kequshqyerja që prej fillimit të luftës.

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po përpiqen të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund konfliktit.

Bashkimi Evropian (BE)GazaGjenocidLufta në Ukrainë