Minçev: Zgjidhja ligjore për pagat në sektorin publik pritet të jetë gati deri në fund të vitit

Ministria e Administratës Publike ka nisur një mision pesëditor të ekspertëve të TAIEX-it për harmonizimin e sistemit të pagave në sektorin publik. Ekspertë nga Ministria greke e Ekonomisë Kombëtare dhe Financave do të prezantojnë përvojën e Greqisë me sistemin e unifikuar të pagesave në sektorin publik, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, tha se synimi është krijimi i një sistemi me rregulla të njëjta për të gjitha institucionet dhe zbatimi i parimit „pagë e njëjtë për punë të njëjtë“.

Sipas Ministrisë, aktualisht institucionet publike zbatojnë rregulla, procedura dhe praktika të ndryshme në përcaktimin dhe pagesën e pagave. Për këtë arsye, është duke u përgatitur një kornizë e re ligjore për sistemin e pagave.

Minçev tha se zgjidhja ligjore planifikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa zbatimi gradual i saj pritet të nisë në vitin 2027. Ai theksoi se modeli grek nuk do të kopjohet, por do të analizohet dhe përshtatet me kushtet institucionale, ligjore dhe financiare të Maqedonisë së Veriut.

Në misionin e TAIEX-it morën pjesë edhe ushtruesja e detyrës ambasadore të Greqisë, Hristina Vasilatu, dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse të të dyja vendeve.

Goran MinçevMinistria e Administratës Publike (MAP)Paga - Rroga