Mickoski përsëriti refrenin për zgjedhje të parakohshme, opozita: Jemi të gatshëm, le t’i caktojmë

Kryeministri Hristijan Mickoski ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke lënë të kuptohet se pushteti është i gatshëm për një përballje të re elektorale nëse këtë e kërkon opozita. Pa dhënë edhe kësaj here një afat konkret, Mickoski deklaroi se nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, qeveria do t’i përgjigjet pozitivisht dhe, sipas tij, koalicioni qeverisës do të dalë sërish fitues, transmeton Portalb.mk.

“Ne si koalicion kemi marrë legjitimitet nga qytetarët për të qenë qeveri për katër vjet. Por, nëse opozita mendon se nevojiten zgjedhje të parakohshme, natyrisht se ne nuk do të sillemi si frikacakë dhe të qëndrojmë anash, por do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese dhe natyrisht, do t’i fitojmë“, tha Mickoski.

Pas kësaj deklarate, erdhën edhe reagime të menjëhershme nga opozita.

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe tha se LSDM është gati për zgjedhje kurdo që ato të shpallen, me ekip, program dhe Plan të ri për vendin ,dhe se siç thotë ai nuk do të jenë alibi për Mickoskin për zgjedhje.

“Jo, nuk do të jemi alibi. Do të ketë zgjedhje kur të mbarojnë paratë për tendera të korruptuar. Kjo është ajo që u intereson atyre, asgjë tjetër. Ne jemi sigurisht gati, po përgatitemi çdo ditë. Nëse më pyetni nëse jemi gati, jemi gati me një ekip, jemi gati me një program të mirë”, tha Filipçe.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar që deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski të shndërrohet në veprim konkret. BDI kërkon që të caktohet sa më shpejt data e zgjedhjeve dhe të shpërndahet Kuvendi.

“BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”, thuhet në reagimin e partisë.

BDI vlerëson se Qeveria e ka humbur legjitimitetin për të vazhduar, duke akuzuar pushtetin për izolim evropian, degradim të marrëdhënieve ndëretnike, cenim të Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësim të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione.

Ndaj këtyre qëndrimeve ka reaguar koalicioni VLEN, nga ku thonë se BDI-ja është lodhur nga të qenit në opozitë dhe se nuk di të funksionojë pa pushtet.

“Opozita e ka lodhur BDI-në. Kjo parti nuk di të funksionojë pa pushtet. Ekzistenca e tyre lidhet ngushtë me keqpërdorim pushteti, me paratë e qytetarëve, me tenderë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga VLEN theksojnë se për ta prioritet janë projektet infrastrukturore, veçanërisht vazhdimi i ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimi i rrugës Shkup–Bllacë, punimet për të cilën, sipas tyre, nisin së shpejti, si dhe ndërtimi i rrugës Tetovë–Prizren.

“Këto projekte për ne janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet dhe pushteti”, deklarojnë nga VLEN.

Sipas koalicionit, pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet, BDI-ja do të përfundojë e “poshtëruar nga shqiptarët”, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve lokale.

“Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Nuk i besojnë më një kaste të korruptuar, një politike të vjetëruar e cila në vend se të përfaqësojë shqiptarët, pasuroi disa individë. Koha e BDI-së ka mbaruar”, përfundon reagimi i VLEN-it.

Mickoski, disa herë e ka përsëritur idenë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Edhe në maj dhe qershor të këtij viti, ai tha së shpejti do të ketë zgjedhje,për të shtuar një ditë më pas se dëshiron që zgjedhjet parlamentare të mbahen në vitin 2028, por shtoi se partia në pushtet VMRO-DPMNE është e përgatitur të fitojë edhe në zgjedhjet e vitit 2027. Mickoski tha se disa parti u frikësuan nga deklarata e tij se “së shpejti do të ketë zgjedhje”.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Hristijan Mickoski HristianVLEN koalicioniVMRO-DPMNEZgjedhje parlamentare/lokale