Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Sofja të pranojë ofertën për një takim në mbledhjen e ardhshme të NATO-s në Hagë dhe u bëri thirrje eurodeputetëve bullgarë të tërheqin amendamentet për gjuhën në Parlamentin Evropian përpara votimit për draft-raportin e raportuesit Thomas Weitz për Maqedoninë e Veriut, pasi Komiteti i Punëve të Jashtme i PE-së – AFET e shtyu votimin për më 24 qershor, transmeton Portalb.mk.
“Shumë mesazhe të ndryshme po vijnë nga Sofja zyrtare. Pleqtë tanë thanë ‘dëgjoni më pak atë që thonë, shikoni më shumë atë që bëjnë’. Ekziston një mundësi e tillë për të treguar atë që thonë. Më 24 qershor, Komiteti i Punëve të Jashtme i PE-së – AFET, ka një raport në të cilin pres që anëtarët bullgarë të PE-së të tërheqin amendamentet në të cilat kërkojnë që identiteti dhe gjuha shekullore maqedonase të përcaktohen më tej me fjalën ‘aktuale’ dhe brenda kësaj fryme të miratohet ai raport, dhe më pas udhërrëfyesi për të drejtat e pakicave që shumë shpejt do të jetë në rend të ditës”, tha Mickoski gjatë vizitës së tij në Manastir.
Deklarata vjen si përgjigje ndaj mesazheve të presidentit bullgar Rumen Radev, i cili tha nga Tirana se nuk bëhet fjalë për marrëdhënie dypalëshe të pazgjidhura, vendosjen e vetos apo ndalimin e procesit të integrimit, por për sfida të brendshme që lidhen me të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ekziston një Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim nga viti 2017 dhe ka dy protokolle. Ekziston një kornizë negociuese nga viti 2022, një konsensus evropian i të gjitha shteteve anëtare dhe qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria nuk ka vendosur kurrë dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, tha Radev.
Mickoski pret që Sofja të pranojë një takim në kuadër të takimit të NATO-s në Hagë, por edhe të “diskutojë Korridorin 8”. “Le të fillojë puna edhe atje, le të jetë përparësi për fqinjin tonë lindor dhe si fqinjë të mirë le të ndërtojmë marrëdhëniet tona të ndërsjella”, tha kryeministri.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.