Mes skenës dhe studimeve, Rrona Amiti po e ndërton rrugën e një pianisteje që premton shumë

Muzika klasike kërkon talent, përkushtim dhe shumë punë, ndërsa rruga drejt suksesit nis që në moshë të hershme. Rrona Amiti është pianiste e re nga Tetova, e cila që nga fëmijëria ka qenë e pranishme në skena dhe në gara të ndryshme muzikore. Me një përvojë të pasur artistike për moshën e saj, ajo vazhdon të ndërtojë karrierën e saj me seriozitet dhe pasion. Në një bisedë për Portalb.mk, Rrona foli për fillimet e saj në piano, sfidat dhe mundësitë që ofron muzika klasike në vendin tonë, si dhe për synimet e saj artistike në të ardhmen.

Portalb.mk: Periudhën e fundit të kemi parë mjaft aktive në koncerte dhe aktivitete kulturore. Si e përjeton daljen para publikut si një pianiste e re e cila ngjitet në skenë me artistë që knë vite në skenë dhe sa ka ndikuar kjo përvojë në formësimin tënd artistik? 

Rrona Amiti: Mësimet e para në piano kam filluar t’i ndjek që në moshën gjashtëvjeçare, ndërsa paraqitjet e mia në koncerte dhe gara kanë nisur po në atë moshë. Me pak fjalë, prezenca ime skenike nuk është ndalur që nga ajo kohë. Natyrisht, përveçse është një eksperiencë e veçantë të bashkëpunosh dhe të ndash skenën me artistë që kanë vite të tëra përvojë, kjo është edhe një përfitim i madh për mua si pianiste e re, sepse gjithmonë krijohet mundësia të mësosh nga përvojat e tyre.

Portalb.mk: Duke qenë se ende je studente, sa sfiduese është të balancosh studimet akademike me angazhimet në koncerte, festivale dhe projekte artistike? A ndodh që ndonjëherë njëra të sakrifikohet për tjetrën?   

Rrona Amiti: Studimet janë një etapë shumë e rëndësishme në zhvillimin dhe formësimin e një individi. Nuk do të thosha se janë pengesë; përkundrazi, për një artist ato përbëjnë një mbështetje të rëndësishme. Deri më tani, tek unë nuk ka ndodhur që njëra të sakrifikohet për tjetrën. Kam arritur t’i balancoj të dyja me përkushtim dhe organizim.

Foto nga arkivi personal i Rrona Amitit

Portalb.mk: Shpesh dëgjojmë se të rinjtë po largohen nga arti dhe kultura. Nga përvoja jote, a ekziston interes i mjaftueshëm te të rinjtë për muzikën klasike dhe artin në përgjithësi, apo problemi qëndron te mungesa e mundësive dhe mbështetjes? 

Rrona Amiti: Fatkeqësisht, ende jemi një shoqëri ku kultura është në proces zhvillimi. Megjithatë, sa i përket fëmijëve të moshës 5-6 vjeç, interesimi për muzikën klasike është mjaft i madh. Problemi shfaqet më vonë, gjatë shkollës së mesme dhe studimeve, kur numri i të interesuarve bie ndjeshëm. Mendoj se kjo lidhet më shumë me interesat personale të të rinjve sesa me mungesën e vlerësimit për muzikën klasike. Sa i përket mbështetjes dhe mundësive në vendin tonë, besoj se ato janë në nivelin e duhur; me punë dhe përkushtim, secili mund të gjejë hapësirën e vet dhe të vlerësohet.

Portalb.mk: Sa e vështirë është për një artist të ri në vendin tonë të ndërtojë karrierë serioze në muzikë? A mendon se institucionet kulturore mbështesin mjaftueshëm talentet e reja? 

Rrona Amiti: Mendoj se si shtet kemi mjaft institucione kulturore, veçanërisht në Shkup si qendër kryesore e aktiviteteve artistike. Organizimet, garat, festivalet, koncertet dhe audicionet janë të shumta dhe nuk mungojnë. Gjithmonë i kam besuar parimit se puna dhe cilësia nuk mund të mbeten pa u shpërblyer.

Portalb.mk: Në një kohë kur rrjetet sociale dhe përmbajtjet e shpejta dominojnë te të rinjtë, a e ka më të vështirë muzika klasike të gjejë hapësirën e saj? Si mund të afrohen më shumë të rinjtë me këtë lloj arti? 

Rrona Amiti: Në një aspekt, rrjetet sociale dhe interneti ndihmojnë shumë, por nga ana tjetër ndikojnë edhe në mënyrën se si muzika klasike gjen hapësirën e saj në publik. Përfitimi më i madh është qasja e pakufizuar në materiale muzikore, interpretime dhe burime të ndryshme, të cilat na ndihmojnë të mësojmë dhe të pasurohemi artistikisht. Natyrisht, gjithçka varet nga interesat dhe shijet e secilit individ.

Portalb.mk: Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Rrona Amiti: Synimi im është që fillimisht të paraqitem në të gjitha skenat më të rëndësishme në vend dhe, pse jo, më pas edhe në skena ndërkombëtare. Besoj se kjo është ëndrra e çdo artisti: të ecë përpara me punë, përkushtim dhe durim, duke arritur gradualisht majat e profesionit. Shpresoj shumë që në të ardhmen t’i realizoj këto synime.

Foto nga arkivi personal i Rrona Amitit
Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajme