Mediat rajonale zgjedhjet e dyfishta në RMV: Qeveria në ikje, dështoi në parandalimin e korrupsionit

Mediat në rajon ndoqën me kujdes zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Theks i veçantë në raportimin e tyre vihet mbi fushatat zgjedhore dhe bojkotit ndaj zgjedhjeve presidenciale. Duke e analizuar mandatin e Qeverisë në ikje, raportojnë për ngecje në parandalimin e korrupsionit, dhe se e njëjta ishte shkas për rezultatin e tyre të dobët, transmeton Portalb.mk.

Top Channel nga Shqipëria, kryesisht raporton të dhënat zyrtare për zgjedhjet e dyfishta të zhvilluara në Maqedoninë e Veriut. Bojkoti nga radhët e simpatizantëve të BDI-së vërehet edhe mes lajmeve në këtë televizion.

Rezultatet do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse vendi do të vazhdojë t’i përmbahet kursit drejt BE-së. Zgjedhjet presidenciale në raundin e parë më 24 prill shënuan një fitore të qartë të nacional-konservatorëve, partisë në opozitë VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut. Kandidati për President, Stevo Pendarovski ka pranuar humbjen dhe i uron punë të suksesshme kundërshtares nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë që akuzoi BDI-në e cila ka bërë thirje për bojkot. Pendarovski me këtë rast tha se pavarësisht rezultatit ai ka ndërgjegjen e pastër, dhe pyeti nëse edhe ata të cilët thirrën në bojkot kanë ndërgjegjen e pastër”, thuhet në raportimet e Top Channel.

RTS nga Serbia për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut theks të veçantë vendos mbi bojkotin nga simpatizantët e BDI-së për zgjedhjen e presidentit, më tej vendos urimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Rrugën e ardhjes në pushtet të LSDM-së me anë të protestave ndaj skandaleve të korrupsionit e cilësojnë si rrjetë në të cilën u kapën vetë me kalimin e kohës, ndërkaq procesin e integrimit peng të presioneve nga bullgarët dhe grekët. Gjatë përshkrimit të Davkovës, përpos angazhimit akademik, vendosin edhe qëndrimet e saja ndaj Ligjit të gjuhëve e Marrëveshjes së Prespës.

“Kritikat Pendarovskit për bojkot, indirekt ishin ndaj liderit të BDI-së Ali Ahmetit, të cilët edhe pse jo në mënyrë publike, thirrën votuesit shqiptarë të mos votojnë në zgjedhjet presidenciale, dhe në disa vend votime kutitë zgjedhore për zgjedhjet presidenciale ngelën të zbrazura. Presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq ia uroi Davkovës fitoren në rrethin e dytë të zgjedhjeve, në platformën “X” ku mes tjerash thekson se është i bindur për bashkëpunim të ndërsjellë mes shteteve dhe popujve. Rezultatet zgjedhore në RMV, edhe pse të pritshme, paraqesin kthesë dramatike. LSDM pas ardhjes në pushtet nëpërmjet protestave ndaj skandaleve korruptive, me kalimin e kohës ra vetë në rrjetën e korrupsionit, ndërkaq procesi integrimit pas presioneve greke dhe bullgare, ka ngelur diku mes Shkupit dhe Brukselit. Prindërit më folën serbisht, gjyshja ime në gjuhën bullgare, në Maqedoninë Lindore dokumentet dhe aktet gjatë luftës së dytë botërore shkruheshin në shqip. Sot kemi dëgjuar që nëse nuk njohim gjuhën shqipe duhet ta mësojmë. Ajo ishte kundër Marrëveshjes së Prespës, ngase cilësonte Maqedoninë si një vend në shpërbërje e sipër, që është nënshtruar ndaj Greqisë, dhe lejonte të “ndërhynte paturpësisht në punët e saja të brendshme”, raporton RTS.

Gazeta Kathimerini nga Greqia, duke analizuar fushatat zgjedhore të VMRO-së thekson se e njëjta po shqetëson zyrtarët grek, vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Prespës e krahas saj vlerëson se zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare janë kyçe në procesin integrues, megjithatë kjo ndodh ngase Qeveria në ikje dështoi në luftën ndaj korrupsionit.

“Fitorja e pritshme e partisë nacionaliste të qendrës së djathtë VMRO-DPMNE në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Maqedonisë së Veriut po shqetëson zyrtarët grekë, të cilët nuk e dinë se deri ku do të shkojë Qeveria e re drejt vënies në dyshim, apo edhe mohimit të Marrëveshjes së Prespës të vitit 2018, e cila vendos fundi i tensionit gati 30 vjeçar midis dy vendeve për emrin “Maqedoni”, të cilin grekët e konsideruan si një përvetësim të plotë jo vetëm të entitetit gjeografik, por edhe të trashëgimisë së Mbretërisë së lashtë Greke të Maqedonisë. Opozita e djathtë pritet të fitojë terren kundër një partie në pushtet që ka dështuar në përparimin e bisedimeve për t’u bashkuar me BE-në dhe për të shuar korrupsionin”, thuhet në raportimet e Kathimerini-t.

Më 8 maj u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, në të cilën Gordana Siljanovska – Davkova fitoi bindshëm në garën për presidente, ndërkaq partia e cila e mbështeti atë, VMRO-DPMNE, shënoi fitore në garën parlamentare.

Ali AhmetiGazetarë - Gazetari - MediaGordana Siljanovska DavkovaGreqiaMaqedonia e Veriut RMVSerbiaShqipëriaStevo PendarovskiZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje presidenciale RMV 2024