Sot fillon shqyrtimi i amendamenteve për rebalancin e buxhetit

Komisioni parlamentar për Financim dhe Buxhet sot fillon shqyrtimin e amendamenteve për propozim-rishikimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2026. Për propozim-rishikimin e buxhetit janë dorëzuar gjithsej 124 amendamente nga propozues të autorizuar, transmeton Portalb.mk.

Në debatin e djeshëm në mbledhjen e Komisionit, ku në lexim të dytë u shqyrtua Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2026, deputetët e pushtetit dhe opozitës shprehën qëndrime të kundërta.

Nga shumica qeverisëse vlerësuan se ndryshimet janë të domosdoshme për shkak të ndryshimit të kushteve ekonomike. Ata theksuan se ky rishikim i buxhetit nuk është pranim i dështimit, por, siç thanë, përgjigje ndaj rrethanave të ndryshuara ekonomike. Gjithashtu, nënvizuan se vazhdon mbështetja për komunat dhe realizimi i projekteve zhvillimore.

Deputetët e opozitës vlerësojnë se rishikimi i dytë i buxhetit brenda këtij viti tregon dobësi në planifikimin buxhetor. Sipas tyre, qëllimi i këtij rishikimi është që viti të përfundojë disi dhe të mbulohen shpenzimet rrjedhëse dhe funksionet themelore të shtetit.

Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutRebalanci i buxhetit