Maqedonia është pjesë e rrjetit evropian për monitorimin e shpendëve në kohë reale

Këshilli Evropian për Regjistrimin e Shpendëve ka prezantuar versionin e ri të Portalit Evropian për Shpendët, përmes të cilit mund të ndiqet pothuajse në kohë reale shpërndarja javore e rreth 600 llojeve të shpendëve që gjenden në kontinentin evropian. Falë platformës ptici.mk, të zhvilluar para dy vitesh nga Shoqata Ekologjike Maqedonase (MED), në kohë reale regjistrohen edhe vëzhgimet e shpendëve të bëra në vendin tonë, transmeton Portalb.mk.

Që nga vënia zyrtare në përdorim në vitin 2024 e deri më sot, në ptici.mk janë regjistruar mbi 50.000 të dhëna, të cilat janë të dukshme edhe në një hapësirë shumë më të gjerë, duke qenë se platforma është integruar plotësisht në Portalin Evropian për Shpendët.

“Ne përdorim protokolle të strukturuara dhe të standardizuara për mbledhjen e të dhënave dhe avancimin e shkencës qytetare, pa të cilën nisma të tilla do të ishin të pamundura. Në këtë mënyrë kontribuojmë për mbulim më të madh gjeografik dhe përmirësim të cilësisë së të dhënave të përgjithshme për shpendët e mbledhura në Evropën Juglindore dhe Lindore. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse pa të dhëna të vazhdueshme dhe cilësore nuk mund të planifikohet mbrojtja e natyrës, e as të menaxhohen siç duhet zonat e rëndësishme për shpendët dhe rrugët e tyre migratore”, thotë Danka Uzunova, ornitologe dhe koordinatore e projektit në MED.

Në Evropë, mbi 200.000 vullnetarë-vëzhgues të shpendëve kanë regjistruar më shumë se 750 milionë të dhëna që nga viti 2010 përmes portaleve të ndryshme online për regjistrimin e shpendëve, prej të cilave 76 milionë vetëm në vitin 2026. Të gjitha këto të dhëna dërgohen automatikisht dhe çdo ditë në bazën qendrore të të dhënave të Portalit Evropian për Shpendët, duke mundësuar përditësimin e përditshëm të të gjitha hartave në mjetin e shikimit me informacionet më të fundit.

Nga MED informojnë se ky fluks i madh i të dhënave për biodiversitetin – më i madhi që aktualisht funksionon në Evropë me përditësim pothuajse në kohë reale – realizohet përmes Programit “LIFE” të Bashkimit Evropian dhe falë bashkëpunimit të ngushtë të një rrjeti prej 52 organizatash ornitologjike dhe ekologjike nga 41 vende të ndryshme, mes tyre edhe Shoqata Ekologjike Maqedonase.

“Vegla e re njëkohësisht përfaqëson edhe një njohje të rolit kyç të mijëra vullnetarëve-vëzhgues të shpendëve dhe tregon se si këto kontribute individuale lokale mund të bashkohen në dobi të mbrojtjes së shpendëve dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik në nivel evropian”, vlerëson Gabriel Gargalo nga Instituti Ornitologjik i Katalonjës, koordinator kryesor i projektit evropian.

Pikërisht përmirësimet e konsiderueshme në mbulimin gjeografik, numrin, cilësinë dhe ndërlidhjen e të dhënave në një portal janë me rëndësi jetike për kuptimin e duhur të modeleve sezonale të shpërndarjes së shpendëve, ndryshimeve në numrin e tyre dhe monitorimin e tendencave të popullatave në një periudhë më të gjatë kohore. Mbledhja e këtyre të dhënave është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se ato përbëjnë bazën e raporteve të rëndësishme, si raporti më i ri i “BirdLife International”. Ai tregon se popullatat e deri në 41 përqind të shpendëve shtegtarë përgjatë rrugës migratore afrikano-euroaziatike, pjesë e së cilës është edhe Maqedonia, janë në rënie. Prandaj, përveçse ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dokumentimin dhe monitorimin e popullatave të shpendëve, këto njohuri dhe të dhëna ofrojnë edhe udhëzime se si të hartohen politikat dhe si të zbatohen aktivitetet për mbrojtjen e shpendëve.

Bashkimi Evropian (BE)EkologjiKafshëMaqedonia e Veriut RMV