Me 4 milionë euro nga BE-ja, Dogana e RMV-së siguroi 26 automjete dhe pajisje të specializuara

Drejtoria Doganore ka forcuar kapacitetet operative, hetimore dhe teknologjike me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në vlerë prej rreth 4 milionë eurosh. Në kuadër të projektit janë siguruar 26 automjete të specializuara, pajisje për kontrolle dhe hetime doganore, pajisje për zbulimin e tregtisë së paligjshme, pajisje forenzike dhe infrastrukturë informatike, transmeton Portalb.mk.

Rezultatet e projektit u prezantuan sot në terminalin doganor Tabanoc, ku u bë e ditur se 21 nga automjetet e reja janë dedikuar për ekipet mobile doganore, ndërsa pesë për njësinë K-9.

Mbështetja është siguruar në kuadër të dokumentit aksional IPA 2021 „BE-ja kundër krimit të organizuar, në mbështetje të tregtisë“, përmes të cilit, përveç forcimit të kontrolleve dhe kapaciteteve për hetime, është investuar edhe në digjitalizimin e shërbimeve doganore.

Në kuadër të projektit janë zhvilluar EORI2, sistemi për regjistrimin dhe identifikimin e operatorëve ekonomikë, dhe UUM&DS, sistemi për menaxhimin e unifikuar të identiteteve të përdoruesve dhe nënshkrimit digjital. Sipas Drejtorisë Doganore, këto sisteme synojnë të thjeshtojnë dhe sigurojnë qasjen e operatorëve ekonomikë në shërbimet elektronike doganore, të ulin procedurat administrative dhe të përmirësojnë lidhjen me sistemet doganore kombëtare dhe evropiane.

Drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, tha se pajisjet e reja do t’u mundësojnë punonjësve doganorë të identifikojnë më lehtë rreziqet, të parandalojnë tregtinë e paligjshme dhe të zbulojnë kontrabandën.

“Këto nuk janë vetëm mjete materiale. Këto janë mjete me të cilat punonjësit tanë doganorë çdo ditë do të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë më efikase – të identifikojnë rreziqet, të parandalojnë tregtinë e paligjshme, të zbulojnë kontrabandën dhe të kontribuojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndërkufitar“, tha Nikollovski.

Ai theksoi se forcimi i Doganës nuk nënkupton vetëm kontrolle më të fuqishme, por edhe digjitalizim dhe lehtësim të tregtisë së ligjshme.

“Dogana e fortë nuk nënkupton vetëm kontroll të fortë. Dogana e fortë nënkupton edhe një institucion të shpejtë, modern dhe digjital, i cili u mundëson operatorëve ekonomikë të funksionojnë më lehtë“, tha Nikollovski.

Në aktivitet morën pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas.

Mickoski tha se Drejtoria Doganore është në vijën e parë të mbrojtjes së ligjit dhe sundimit të së drejtës.

“Duhet të tregojmë se krimi është një profesion që nuk shpërblehet. Administrata Doganore është në vijën e parë të mbrojtjes së ligjit dhe sundimit të së drejtës dhe duhet të ecë në atë drejtim“, deklaroi Mickoski.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, tha se rëndësia e projektit është më e madhe se vlera e pajisjeve të blera, duke e cilësuar atë si investim në kapacitetet e një institucioni që ka rol në mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe luftën kundër krimit të organizuar e ndërkufitar.

Ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, tha se pajisjet e reja dhe sistemet digjitale duhet të kontribuojnë në funksionimin më efikas të pikave kufitare, qarkullimin më të shpejtë të mallrave dhe uljen e pengesave për bizneset.

Administrata Doganore njoftoi se do të vazhdojë me modernizimin dhe digjitalizimin e punës, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe forcimin e bashkëpunimit operacional dhe ndërkombëtar, me synim përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane.

Bashkimi Evropian (BE)Drejtoria e doganave RMVIPA Fonde