Më 26 dhe 28 maj, me fillim në ora 19:00, në Teatrin e Fëmijëve në Shkup, vjen para publikut premiera e shfaqjes për fëmijë “Pirati i Kohës”, nën regjinë e Ibër Dearit. Pas suksesit me shfaqjen “Pinoku dhe Kësulëkuqja”, regjisori Deari rikthehet në skenën e Teatrit të Fëmijëve me një tjetër krijim plot imagjinatë, lojë dhe mesazh. “Pirati i Kohës” trajton një nga sfidat më të mëdha të fëmijërisë së sotme: kohën e tepërt që fëmijët kalojnë para telefonave, tabletëve dhe lojërave digjitale, duke u larguar nga loja, miqësia dhe bota e gjallë e imagjinatës, shkruan Portalb.mk.
Në qendër të shfaqjes është “Pirati i Kohës”, një figurë simbolike që ua “vjedh” kohën fëmijëve, duke i larguar nga loja, miqësia dhe imagjinata. Përballë tij qëndrojnë personazhe që përmes humorit, lëvizjes dhe lojës u tregojnë fëmijëve se si mund ta mposhtin këtë pirat.
Regjisori Ibër Deari për Portalb.mk thotë se “Pirati i Kohës” është një shfaqje që fëmijët jo vetëm do ta shijojnë, por edhe do ta mbajnë mend, sepse prek drejtpërdrejt përditshmërinë e tyre. Sipas tij, boshti kryesor i shfaqjes është loja, përmes së cilës ndërtohen edhe aventura, edhe mesazhi edukativ.
“Pirati i Kohës është një shfaqje shumë aktuale, sepse trajton një problem që sot është pjesë e përditshmërisë së çdo fëmije, kohën që u merret nga ekranet, nga lojërat, nga telefonat dhe tabletët. Por ajo që e bën shfaqjen të veçantë është fakti që fëmijët nuk janë vetëm duke parë, por bëhen pjesë e saj. Ata luajnë, reagojnë dhe krijojnë një lidhje të drejtpërdrejtë me personazhet, sidomos me Ronin, me të cilin ndërtojnë një lloj miqësie në skenë. Boshti i kësaj shfaqjeje është loja. Sepse fëmijët nuk vijnë të dëgjojnë ligjërata, vijnë të kënaqen. Dhe përmes lojës ndodh gjithçka tjetër, edhe aventura, edhe mesazhi. Në ‘Pirati i Kohës’, sa më shumë që fëmijët luajnë, aq më shumë dobësohet Pirati. Pra ata e kuptojnë vetë çfarë është e mirë për ta, pa ua tregu dikush me fjalë”, shprehet regjisori.
Duke folur për ekuilibrin mes argëtimit dhe përmbajtjes, Deari thekson se mesazhi nuk duhet t’u imponohet fëmijëve, por të vijë natyrshëm përmes lojës dhe përjetimit skenik.
“Mendoj se nëse fëmija nuk kënaqet, atëherë e ka të vështirë edhe mesazhin ta kuptojë. Prandaj argëtimi, loja, humori, lëvizja… këto e mbajnë gjallë shfaqjen. Pastaj, brenda tyre, futet edhe përmbajtja. Te ‘Pirati i Kohës’, nuk i themi fëmijës ‘mos rri në telefon’, ai vetë e kupton kur sheh Ronin që ndryshon, bie, çohet, luan dhe fillon me u ndje mirë. Pra nuk e shtyjmë mesazhin me zor, e lëmë me ardh vetë, përmes lojës”, deklaron Deari.
Për botën skenike të shfaqjes, regjisori thotë se është përpjekur të krijojë një hapësirë të thjeshtë, të afërt dhe të kuptueshme për fëmijët. Ndërkaq, për sfidën e ruajtjes së ritmit dhe vëmendjes në një shfaqje për publikun e vogël, Deari thotë se fëmijët janë publiku më i sinqertë.
“Qasja ime ka qenë ta mabjmë sa më të thjeshtë dhe të kuptueshme për fëmijët. Jam munduar të krijoj një botë që ata e njohin: njëra anë është ajo e telefonit, ku rrihet ulur dhe nuk lëvizet shumë, ndërsa ana tjetër është loja, ku ka lëvizje, energji dhe bashkëpunim. Gjithçka në skenë është ndërtu rreth kësaj ideje, që fëmijët jo vetëm ta shohin, por edhe ta ndjejnë ndryshimin gjatë shfaqjes. Është shumë sfiduese, sepse fëmijët janë publiku më i sinqertë. Në momentin që mërziten, e ndjen menjëherë në sallë. Prandaj duhet me e mbajt ritmin vazhdimisht, çdo pak minuta me ndodh diçka: një lojë, një situatë qesharake, një moment ku ata përfshihen vetë. Te ‘Pirati i Kohës’ kjo është zgjidhur përmes lojërave dhe interaktivitetit. Fëmijët nuk rrinë vetëm duke parë, por bëhen pjesë e shfaqjes”, përfundon regjisori Ibër Deari.
Biletat mund të rezervohen përmes emailit: teatrishqiptarinfo@gmail.com, duke shënuar emrin, mbiemrin, datën dhe numrin e biletave, ose në numrin +389 70 818 818, çdo ditë pune nga ora 10:00 deri në 14:00.
Çmimi i biletës është 150 denarë për person, ndërsa pagesa bëhet në teatër ose 30 minuta para fillimit të shfaqjes.