Mbyllja e hetimit për mazutin dështoi, Prokuroria e Lartë urdhëroi vazhdimin e tij pas ankesës së EMV-së

Një prokuror publik kompetent nga Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit ka marrë Vendim me të cilin ka pranuar ankesën e SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV) kundër Urdhrit për ndërprerjen e hetimit për veprat penale – Keqpërdorimi i procedurës për thirrje publike, dhënien e kontratës për prokurim publik ose partneritet publiko-privat, si dhe Pastrimi i parave, kundër gjithsej 13 personave fizikë dhe një personi juridik, lidhur me furnizimet me mazut për TEC Negotinë, transmeton Portalb.mk.

Me këtë vendim, Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit e ka ngarkuar Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që ta vazhdojë procedurën, ndërsa prokurorit kompetent në shkallë të parë i janë dhënë edhe udhëzime shtesë për veprim.

“Duke konstatuar, para së gjithash, mangësi në ekspertizat e përgatitura, mbi të cilat prokurori publik nga PTHP-ja për Krim të Organizuar dhe Korrupsion e kishte bazuar vendimin për ndërprerjen e hetimit, Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit ka kërkuar që procedura të vazhdojë me qëllim të përcaktimit të të gjitha veprimeve individuale të të dyshuarve”, thuhet në njoftim.

Në veçanti, duhet të përcaktohet nëse dhe kush ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta ose veprime ndihmëse, me të cilat personi juridik EMV, përmes keqpërdorimit të mjeteve të dedikuara të ndara nga buxheti i shtetit dhe nën petkun e përdorimit të bazës ligjore të privilegjuar nga neni 23 i Ligjit për Prokurime Publike, ka mundësuar përfitim pasuror në përmasa të mëdha për njërin prej të dyshuarve dhe personin e tij juridik.

“Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit e ka ngarkuar PTHP-në për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të mbledhë dhe analizojë më shumë të dhëna nga disa institucione të tjera, si dhe të urdhërojë ekspertiza të reja, me qëllim të shqyrtimit të saktë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimit të përgjegjësisë eventuale penale”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndërpreu procedurën në rastin në lidhje me furnizimin me mazut për TC Negotinë, sepse hetimi, i cili zgjati një vit, nuk vërtetoi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë ndjekur penalisht.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se e priti me shok dhe mosbesim lajmin për vendimin e Prokurorisë Themelore Publik.

Për rastin në fjalë, listën e dyshuarve e përbënin gjithsej 13 persona. Drejtori i RKM Ratko Kapushevski, i cili njihet në opinion si person i afërt i Nikolla Gruevskit ishte në ndër emrat më të njohur, ndërkaq bashkë me të ishte  i përfshirë edhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski apo pronari i Pucko Petroll, Asmir Jahoski. Në listën e të dyshuarve ndodhej edhe emri i ish drejtori të EMV-së, Vasko Kovaçevski i cili prej kohësh ndodhet në arrati për shkak të rastit tjetër ku ndiqet penalisht, të njohur si “Aditivët”. Më tej, padi penale ishte dorëzuar edhe kundër ish drejtorit të EMV-së apo funksionarit të BDI-së Ardijan Muça, por edhe kundër Erxhan Sullkoskit, biznesmeni të njohur në opinion si partner biznesi i dhëndrit të kreut të BDI-së Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj. Krahas tyre, përmendeshin edhe persona të tjerë si Ruzhdi Ramadani, Nikolla Stojanovski, Danço Stojanovski, Emil Pecakov, Marija Neshkovska, Bllagica Markoviq, Dushica Seizovska Jovanoviq dhe Dobrilla Stefanovska.

Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) (ELEM)Prokuroria e Lartë Publike (PLP) RMVProkuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe KorrupsionitProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV