Punonjësja e Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (KGjO), e cila pa dashje ia preu një pjesë të gishtit të madh një foshnjeje dyditëshe, gjatë heqjes së infuzionit para daljes nga spitali, është transferuar për të punuar në kuzhinën e qumështit të klinikës, derisa të përfundojë procedura disiplinore, njoftuan nga institucioni për “Sloboden Peçat”.
“Ju informojmë se sot përfundon afati për mbledhjen e deklaratave nga punonjësit, të cilat janë të nevojshme për dokumentimin dhe kompletimin e plotë të procedurës. Më së voni deri të martën do të mbahet mbledhja e Komisionit Disiplinor, në të cilën do të shqyrtohen të gjitha deklaratat dhe rrethanat përkatëse, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe objektiv të gjendjes faktike. Ndërkohë, në përputhje me masat e ndërmarra, punonjësja është larguar nga procesi i drejtpërdrejtë i punës me pacientë dhe është sistemuar në vendin e punës në kuzhinën e qumështit, ku nuk ka kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët“, thonë nga KGjO për “Sloboden Peçat”.
Nga Drejtoria e KGjO-së theksojnë se do të veprojnë në mënyrë konsekuente, transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Çdo procedurë do të zhvillohet duke respektuar të drejtat dhe detyrimet ligjore, por edhe me përgjegjësi të qartë për mbrojtjen e pacientëve dhe ruajtjen e standardeve profesionale të institucionit. Drejtoria do të presë vendimin dhe propozimin e Komisionit Disiplinor, pas së cilës do të ndërmerren masat përkatëse, në përputhje me faktet e konstatuara, peshën e shkeljes dhe pasojat e veprimit. Qëndrimi ynë është i qartë: çdo veprim në kundërshtim me standardet profesionale dhe etike duhet të shqyrtohet siç duhet dhe të sanksionohet nëse konstatohet përgjegjësi. Siguria, dinjiteti dhe besimi i pacientëve mbeten prioriteti ynë kryesor“, shtojnë nga ISHP Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Shkup.
Pas incidentit në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (GAK), ku një foshnjeje dyditëshe gjatë heqjes së infuzionit iu pre një pjesë e gishtit të madh, “Sloboden Peçat” iu drejtua drejtorit të Klinikës për Kirurgji të Fëmijëve, doktor Lazo Jovçevski. Ai konfirmoi se ishte thirrur kirurgu i fëmijëve, doktor Lazar Todoroviq, ndërsa foshnja duhej të operohej nën anestezi, pasi gjakderdhja nuk ndalej. Tani, sipas burimeve të mediumit, foshnja e ka gishtin e madh më të shkurtër, pasi i është amputuar falanga distale e gishtit.