Mbrëmë u ndez flakadani i “Flakës së Janarit 2025”, Gostivari përkujtoi dëshmorët e kombit

Gostivari mbrëmë ndezi flakën e lirisë, flakën e janarit të acartë, në nderim dhe përkujtim të dëshmorëve të kombit. Manifestimi u realizua para Qendrës për Kulturë në Gostivar, me pranin e mysafirëve nga Kosova, Shqipëria dhe nga vendi, transmeton Portalb.mk.

Pjesë e programit ishin edhe ansamblet nga të gjitha trevat shqipfolëse, ku para publikut prezantuan një program të pasur kulturor.

Sivjet flakadanët u ndezën nga valltaret e mirënjohur Dardanët e Shkupit. Programin artistik e begatua edhe me këngëtarët e Gostivarit: Saranda Imeri Stafai, Premtim Nuhiu, Fisnik Ristemi me orkestrën e Qendrës për Kulturë. Gjithashtu pjesë e programit ishte edhe recitali kushtuar dëshmorëve të kombit nga nxënësit e kursit të aktrimit.

Drejtoresha artistike Vjollca Baftiu Zylbeari, në profilin e saj ka shënuar se mbrëmë u ndez flakadani i 20 vjetorit të ”Flakës së Janarit”, me të gjithë ata që mbajnë gjallë këtë flakë.

“Me të gjithë ata që ndër vite e mbajnë të gjallë këtë flakë në shenjë respekti për të gjithë dëshmorët e rënë ndër vite e në veçanti për vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Aty bashkë ishin të gjithë shqiponjat, të rinjtë e qyteteve shqiptare të Iliridës dhe Kosovës. Respekt për të gjitha shoqëritë kulturore artistike që sonte e zbukuruan skenën tonë me paraqitjet e tyre mahnitëse”, ka shkruar Zylbeari.

Pamje nga manifestimi “Flaka e Janarit”. Foto: SH.K.A “Jeta e re” Sllupçan

Aktivitetet në Gostivar dhe më gjerë shërbejnë si kujtesë për sakrificën e tyre dhe frymëzim për unitetin kombëtar.

Manifestimi vazhdon sonte në natën e tretë dhe përfundimtare, ku organizatorët edhe për këtë natë kanë veçuar një program të pasur kulturor, në nderim të figurave tona kombëtare.

GostivariKultura shqiptareKulturë lajme