Në Dibër do të mbahet koncerti “Skutaçja e caucës”, një mbrëmje me këngë e valle shqiptare

Kënga, vallja dhe tradita shqiptare do ta gjallërojnë skenën e Qendrës së Kulturës në Dibër më 2 nëntor, në orën 20.00. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV do të sjellë koncertin tematik “Skutaçja e caucës”, me pjesëmarrjen e këngëtares Leonora Poloska dhe grupit të valleve “Burrat e Dibrës” të SHKA-së “Dibra e Madhe”, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i Qendrës për Kulturë në Dibër, Ylber Nuredini, për Portalb.mk tha se ky koncert është një mundësi për publikun dibran që të shijojë një program profesional, por edhe një shtysë për artistët vendas.

“Sa i përket këtij koncerti tematik që organizohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare nga Shkupi, ne e mirëpresim me shumë dashuri dhe respekt në qytetin e Dibrës. Tematika e këtij koncerti është gjithëpërfshirëse, pasi bëhet fjalë për trashëgiminë tonë kulturore. Mendojmë se më 2 nëntor salla jonë do të jetë e mbushur plot dhe publiku do të ketë kënaqësinë të ndjekë performancën e këtij ansambli, i cili është i vetmi ansambël profesional i këtij lloji në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ideja, në fakt, erdhi nga drejtori i ansamblit, i cili shprehu dëshirën dhe propozimin që ky koncert të mbahej në qytetin e Dibrës. Ne, pa dyshim, e mirëpritëm këtë ide me shumë dashuri. Përmes këtij koncerti synojmë të prezantojmë nivelin e lartë të përgatitjes artistike të ansamblit tonë. Njëkohësisht, kjo është edhe një nxitje dhe shtysë për të gjithë artistët tanë që merren me fusha të ndryshme të artit. Siç e dini, Qendra për Kulturë në Dibër nuk ka ansamble profesionale në fushën e muzikës, këngës, vallëzimit dhe orkestrës. Prandaj, ky koncert do të përcjellë një mesazh të rëndësishëm për komunitetin artistik të qytetit tonë, por edhe për një publik më të gjerë”, tha Nuredini.

Duke folur për rëndësinë e aktiviteteve të tilla në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë muzikore e folklorike shqiptare, veçanërisht te brezat e rinj, Nuredini theksoi se ardhja e ansamblit në Dibër i jep një dimension të veçantë jetës kulturore të qytetit.

“Është një aktivitet shumë i bukur dhe i rëndësishëm. Fillimisht, ju falënderoj për këtë intervistë dhe për mundësinë që na krijoni këtu në Dibër. Ky koncert, përfaqëson një nivel tjetër, një nivel profesional. Ju e dini se në Dibër organizohet edhe festivali teatror me shfaqje profesioniste, tashmë prej 25 vitesh, dhe publiku ynë është i pjekur e i kultivuar në artin e dramës. Por ai është po aq dashamirës edhe ndaj të gjitha formave të tjera të artit. Ardhja e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Dibër përcjell një mesazh edhe më të gjerë. Kjo trashëgimi kulturore që kemi ne, përmes këtij ansambli, prezantohet dhe transmetohet nga Shkupi drejt qyteteve të tjera. Këtë herë, konkretisht, në qytetin tonë të Dibrës. Përmes një koncerti të vetëm, ansambli përcjell mesazhe në disa fusha të artit, përmes koreografisë dhe vallëzimit, orkestrës dhe interpretimit të këngëve të bukura që përfshihen në repertorin e tij. E gjithë kjo përgatitje artistike prezantohet në një nivel të lartë profesional, duke shërbyer si një nxitje dhe frymëzim për artistët tanë, jo vetëm në Dibër, por edhe në qytetet e tjera”, u shpreh Nuredini.

Koncerti “Skutaçja e caucës” do të jetë një mundësi për ta sjellë trashëgiminë muzikore dhe folklorike shqiptare më pranë publikut dibran. Pjesëmarrja e ansamblit profesional, krahas artistëve vendas, i jep kësaj mbrëmjeje edhe vlerën e shkëmbimit të përvojave artistike. Përmes aktiviteteve të tilla, kënga dhe vallja popullore ruajnë vendin e tyre në jetën kulturore të qytetit dhe përcillen te brezat e rinj.

Afishja e koncertit “Skutaçja e caucës”. Foto: Qendra për Kulturë në Dibër (Facebook)
DibraKoncertKultura shqiptareKulturë lajmeQendra për Kulturë Dibër