Liderët shtetërorë dhe politikë në Maqedoninë e Veriut kanë uruar sot 8 Shtatorin – Ditën e Pavarësisë së vendit, duke përcjellë mesazhe për shtetësi, bashkëjetesë dhe të ardhmen evropiane, shkruan Portalb.mk.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së vendit, ka uruar qytetarët duke e cilësuar këtë datë si momentin kur ëndrra shekullore për një shtet të lirë dhe të pavarur maqedonas u bë realitet.
Në urimin e saj, Siljanovska-Davkova kujtoi referendumin e 8 shtatorit 1991, duke thënë se qytetarët maqedonas atëherë “e përmbyllën veprën e ilindenasve dhe asnomistëve”, duke krijuar një shtëpi kombëtare dhe qytetare të përbashkët, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare.
Sipas saj, pavarësia e vendit mbështetet në tri shtylla: besimin e qytetarëve në shtetin dhe institucionet e tij, besimin e ndërsjellë mes qytetarëve, pavarësisht dallimeve etnike, fetare dhe gjuhësore, si dhe besimin e palëkundur në të ardhmen e Maqedonisë.
Ajo theksoi se gjatë tri dekadave e gjysmë të pavarësisë vendi është përballur me “sfida të rënda, bllokada dhe standarde të dyfishta”, të cilat, sipas saj, kanë nxitur probleme të brendshme.
“Një nga më të mëdhatë është largimi i të rinjve në kërkim të një jete më të mirë. Me çdo largim ndërpritet një fije në indin tonë, ndërsa çdo bankë e zbrazët shkollore është një kujtesë e heshtur se po i humbim ata që ishin dhe ende janë shpresa jonë më e madhe”, tha Siljanovska–Davkova.
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, në urimin e tij me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, tha se 35 vjet shtetësi janë një periudhë e mjaftueshme për të kuptuar se shtetësia nuk arrihet vetëm përmes një akti politik, referendumit apo shpalljes së pavarësisë.
“Shteti është diçka që ndërtohet çdo ditë – me institucione funksionale, me të drejtë të barabartë për të gjithë, me përgjegjësi, punë, arsim, zhvillim ekonomik dhe, mbi të gjitha, me njerëz që besojnë se e ardhmja e tyre personale është e lidhur me të ardhmen e përbashkët të shtetit”, tha Gashi.
Ai theksoi se diversiteti etnik, gjuhësor, fetar dhe kulturor i vendit duhet të shihet si forcë e përbashkët dhe jo si burim ndarjesh. Sipas tij, institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve, ligjet të zbatohen në mënyrë të barabartë dhe korrupsioni të mos tolerohet.
Gashi theksoi gjithashtu se perspektiva evropiane duhet të mbetet një qëllim i përbashkët, duke uruar qytetarët për 35-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Pavarësinë e RMV-së, e ka uruar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ai tha se 35-vjetori i pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është një moment për të kujtuar rrugën nëpër të cilën kemi kaluar si shtet dhe si shoqëri, por edhe për të menduar seriozisht se çfarë shteti duam t’ua lëmë brezave që vijnë. Ky shtet nuk është ndërtuar brenda një dite dhe as vetëm nga një komunitet.
“Por, për shumë vite, një pjesë e qytetarëve të tij, shqiptarët dhe komunitetet e tjera joshumicë, nuk janë ndier si pjesë e barabartë e tij. Ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, mënyra se si u vendos rendi kushtetues në fillim të viteve ’90, si dhe përjashtimi i shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nga proceset kyçe të krijimit të shtetit, krijuan një hendek të thellë mes shtetit dhe një pjese të qytetarëve të tij”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 35-vjetorin e pavarësisë së saj. Ky përvjetor shtetin e gjen të bllokuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Trazirat politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit njëzet çuan në shpërbërjen e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi.
Më pas, në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Me çka Maqedonia shpalli pavarësinë.