Më 29 tetor në lokalet e ITSh-së (Shkup), në kuadër të nismës joformale “Libri Plus”, u mbajt një tryezë ekspertësh që debatuan rreth veprës së Aleksandar Pavlloviqit, Shqiptari imagjinar, botuar më 2022 nga Qendra Multimedia, Prishtinë. Autori i veprës është studiues i lartë në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale të Universitetit të Beogradit, doktoruar në Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Nottinghamit. Fushat e tij kryesore të kërkimit përfshijnë historinë kulturore të Ballkanit, marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe shoqërinë tradicionale ballkanike. Ndër botimet e tij, përveç të sipërpërmendurës janë edhe Epika dhe politika (2014), Na ishte njëherë bani Strahinja (2026), veprat ko-redaktoriale Figura e armikut: ripërfytyrimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe (2019), Kur janë dashur shqiptarët dhe serbët (2020), Kosova – Serbia: Një qasje ndryshe (2022) etj.
Përmes këtij teksti Pavlloviq shfaqet si një renegat akademik, përfaqësues i një ekoli të ri të inteligjencies serbe që prish linjën e albanofobisë akademike, të paraqitjes ultra-negative të profilit të shqiptarit në krijimet shkrimore serbe, nga ato të letërsisë, deri te ato mediatike dhe shkollare-elitiste-akademike. Pavlloviqi na zbulon se ekziston një trop, një model i caktuar ligjërimi për shqiptarin, të cilin e quan albanizëm, duke luajtur kështu me termin e famshëm ‘orientalizëm’ të Edward Saidit.
Siç dihet orientalizmi është një mënyrë perëndimore e përfaqësimit dhe interpretimit të Lindjes, e cila shpesh e ndërton atë si një hapësirë ekzotike, të prapambetur dhe inferiore, duke reflektuar marrëdhëniet e pushtetit dhe dominimit kulturor e politik të Perëndimit ndaj saj. Nga ana tjetër albanizmi lidhet edhe produktin simotër të orientalizmit, me termin ‘ballkanizëm’ (balkanism) të bullgares Maria Todorova, që përshkruan mënyrën se si Perëndimi e ka ndërtuar dhe përfaqësuar Ballkanin si një hapësirë: të prapambetur dhe periferike; të dhunshme dhe të paqëndrueshme; irracionale dhe të ngarkuar me konflikte etnike; të ndryshme nga Evropa Perëndimore, së cilës i atribuohet moderniteti dhe qytetërimi. Me termin albanizëm nuk nënkuptojmë shqiptarizmin apo afirmimin e identitetit shqiptar, por një konstrukt ideologjik dhe diskursiv antishqiptar, përmes të cilit është prodhuar dhe riprodhuar imazhi negativ i shqiptarit në imagjinatën historike, kulturore dhe politike serbe. Shkurt e shqip albanizmi është ideologji e negativizimit dhe nxirjes diskursive të skajshme të shqiptarit.
Në kontekstin e Shqiptarit imagjinar të Pavloviqit, albanizmi është një lojë konceptuale me ballkanizmin: nëse ballkanizmi përshkruan një model stereotipizues të ligjërimit për Ballkanin, albanizmi emërton një model të ngjashëm të ligjërimit dhe përfaqësimit të shqiptarit si i egër, i pagdhendur, shtatzarak, instinktiv, i paqytetëruar, oriental, si tradhtar, i pabesë etj., imazh ky i formuar nga mesi i shek. XVIII deri në fund të shek. XIX, kur u trajtësua pushtimi poetik i Kosovës, kur u formua miti kosovar si produkt i folkloristëve serbë. Në këtë periudhë u afirmua Car Llazari si simbol i mbretërisë qiellore përkundër asaj tokësore – ngjashëm si te Shën Augustini (civitas Dei – civitas terrena) – i cili sipas Vuk Karaxhiqit “ka marrë porosi nga Jerusalemi, gjegjësisht nga Shën Mëria”. Ky mobilizim psikologjik me bazë fetare ka nxitur triumfalizmin serb që në luftërat jugosllave të viteve 1990 përfundoi një fitore të Pirros. S’arriti t’i trealizojë ëndrrat e veta, përkundrazi përjetoi një disfatë dhe defetizëm madhor, në veçanti në raport me kroatët dhe shqiptarët që krijuan shtetin e dytë të vetin.
Si titull, libri i Pavlloviqit është huazim nga Turku imagjinar i sociologut slloven Bozhidar Jezernik, që trajton mënyrën se si është ndërtuar dhe përfytyruar figura e turkut në imagjinatën historike, kulturore dhe politike të popujve të Ballkanit, duke analizuar stereotipat, mitet dhe paragjykimet që kanë ndikuar në krijimin e imazhit të tij si „tjetri“ kulturor dhe qytetërimor.
Në këngët popullore dhe në literaturën serbe, figura e „arbanasit” (shqiptarit) si pasardhës i turkut dhe fesë së tij u transformua gradualisht në një simbol kolektiv të gjithçkaje që është e huaj, barbare ose armiqësore. Kjo nuk erdhi si pasojë e natyrshme e kontaktit të përditshëm, por si rezultat i proceseve diskursive ku ndryshimet fetare, gjuhësore dhe kulturore u përdorën për të krijuar një ndarje të prerë midis „Neve” (të civilizuarve/viktimave) dhe „Të tjerëve” (pushtuesve/barbarëve). Paraqitja e „Tjetrit” si armik absolut ishte shpesh produkt i nevojave politike të shekujve XIX dhe XX (gjatë periudhës së krijimit të shteteve-kombëtare në Balkan), dhe jo si pasqyrim i saktë i marrëdhënieve reale historike.
Vazhdon…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.