Lufta Iran–SHBA: Trump tha se armëpushimi ka “marrë fund”

SHBA-ja kreu sulme të reja ndajIranit, pas sulmeve të tjera gjatë natës (08.07.2026). Irani u kundërpërgjigj duke goditur objektiva amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, transmeton Dojçe Vele (DW).

Sulmet amerikane erdhën pasi Irani raportohet se kishte qëlluar ndaj tri anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Ushtria amerikane nis sulme të reja ndaj Iranit

Ushtria e Shteteve të Bashkuara po kryen sulme ndaj Iranit, sipas një njoftimi të Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM) të publikuar të mërkurën.

Deklarata erdhi disa orë pasi Presidenti Donald Trumpshpalli se marrëveshja e përkohshme për t’i dhënë fund luftës me Iranin ka “marrë fund”.

Sipas CENTCOM-it, sulmet synojnë të dobësojnë aftësinë e Iranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. “Shtetet e Bashkuara po e mbajnë Iranin përgjegjës për agresionin e fundit të pajustifikuar kundër transportit tregtar dhe ekuipazheve civile që po lundrojnë lirshëm në një rrugë ujore ndërkombëtare jetike,” shkroi Komanda Qendrore Amerikane në platformën X.

Pakistani, ndërmjetësuesi i armëpushimit, bën thirrje për përmbajtje

Pakistani, i cili ndërmjetësoi armëpushimin e brishtë mes dy vendeve, bëri të mërkurën në mbrëmje thirrje që “të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje”.

“Pakistani u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë angazhimet e tyre sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit (MoU),” thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme pakistaneze.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, kërkoi gjithashtu ulje të tensioneve dhe rifillim të bisedimeve.

Zëdhënësi i tij deklaroi: “Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtjen maksimale, të shmangin çdo veprim të mëtejshëm përshkallëzues dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet.”

Teherani i përgjigjet kërcënimeve të Trumpit

Mediat iraniane transmetuan reagimin e qeverisë ndaj komenteve më të fundit të Trumpit. Duke cituar zyrtarë anonimë, PressTV raportoi se Teherani premtoi ta mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA-ja zbaton kërcënimet e saj.

Mbylljet e mëparshme të kësaj rruge detare strategjike gjatë vitit tronditën ekonominë globale, për shkak të rëndësisë së saj për transportin ndërkombëtar, veçanërisht për furnizimin me karburante.

Në të njëjtin raport, qeveria iraniane premtoi se do të godasë objektivat armike “me raport dy me një” në rast se sulmohet.

Trump paralajmëron: “Do t’i godasim fort përsëri sonte”

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të mërkurën se do të godasë përsëri infrastrukturën civile të Iranit, duke përfshirë centralet elektrike, impiantet e desalinizimit dhe ishullin Kharg, ku ndodhen objekte të rëndësishme të infrastrukturës së naftës.

“I goditëm shumë fort mbrëmë,” tha Trump kur u pyet për fundin e armëpushimit, në margjinat e një samiti të NATO-s në Turqi. “Me shumë gjasa do t’i godasim fort përsëri sonte.”

Ai shtoi se: “Ata po sillen shumë keq,” duke akuzuar Teheranin për sulme raketore ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.

Komentet e tij dukeshin si një përforcim i deklaratave të mëparshme se armëpushimi i brishtë dhe i shkelur vazhdimisht mes dy vendeve kishte përfunduar plotësisht.

Megjithatë, negociatat dukej se vazhdonin ende, pavarësisht retorikës së ashpër nga të dyja palët.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, shkroi në platformën X: “Epoka e presionit dhe shantazhit ka marrë fund. Kjo nuk çon askund. Ne nuk dorëzohemi.”

Burimi i tekstit:

Donald Tramp (Trump)IraniShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)