Shpesh përhapen pretendime të rreme rreth llojit të mbështetjes që marrin azilkërkuesit ndërsa presin një vendim mbi aplikimin e tyre për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Këto detaje mund të shtrembërohen duke mos shpjeguar qartë se nga vjen mbështetja për azilkërkuesit ose duke ekzagjeruar ndihmën që marrin, shkruan media britanike “Independent”.
Shembuj të organizatave bamirëse që dhurojnë mallra për një numër të kufizuar azilkërkuesish, siç janë telefonat celularë, mund të ekzagjerohen për të krijuar përshtypjen se qeveria po ia ofron këto produkte të gjithë atyre që kërkojnë azil. Kjo nuk thuhet gjithmonë qartë nga personi që e deklaron këtë, duke i lënë lexuesit ose dëgjuesit të nxjerrë përfundimet e veta.
Më poshtë është një listë (edhe pse jo e plotë) e llojeve të mbështetjes që azilkërkuesit kanë të drejtë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ndërsa presin vendimin. Kjo përfshin ndihmë financiare (zakonisht rreth 2,600 £ në vit për azilkërkuesit e vendosur në akomodime dhe gatuajnë vetë ushqimin) dhe akomodim, por vetëm në raste të rralla përfshin telefonat celularë.
Nëse dikush pretendon se azilkërkuesit marrin diçka nga Qeveria që nuk është në këtë listë, një pretendim i tillë duhet të shihet me kujdes. Kjo nuk do të thotë që pretendimi është i pavërtetë, por duhet të kontrollohet plotësisht para se të ndahet me publikun e gjerë.
Për shembull, nëse dikush pretendon se qeveria i ka dhënë një azilkërkuesi një “iPhone të ri”, së pari duhet të bëhen pyetjet e mëposhtme: si e di personi që pretendon që azilkërkuesi nuk e ka sjellë telefonin me vete nga vendi i tij i origjinës, si e di personi që telefoni është ofruar nga qeveria dhe jo nga një organizatë bamirëse ose individ, dhe si e di personi që telefoni është i ri.
Më poshtë janë informacione shtesë rreth mbështetjes që azilkërkuesit mund të marrin ndërsa kërkesa e tyre për azil është duke u përpunuar.
Nga Qeveria
Mbështetja kryesore për azilkërkuesit ofrohet nga qeveria qendrore. Ajo përfshin akomodimin, ushqimin dhe një pagesë të vogël javore në para të gatshme që paguhet në kartel për pegesa. Përveç kësaj, njëfarë mbështetjeje është në dispozicion nga autoritetet lokale. Meqenëse kjo ndryshon nga rajoni në rajon, nuk mund të mbulohet plotësisht në këtë raport.
Akomodimi: Azilkërkuesve u ofrohet një vend për të jetuar nëse kanë nevojë. Ky mund të jetë apartament, shtëpi, hostel ose akomodim i tipit shtrat dhe mëngjes. Ata nuk kanë mundësinë të zgjedhin se ku do të akomodohen.
Kostot e akomodimit: Kostoja e akomodimit mund të ndryshojë ndjeshëm. Më lirë është ofrimi i të ashtuquajturit “akomodim i shpërndarë”, i cili zakonisht përfshin gatimin e ushqimit nga vet azilkërkuesit në apartamente ose shtëpi me qira private. Sipas një raporti të tetorit 2024 nga Kryeinspektori i Pavarur i Kufijve dhe Imigracionit, ky lloj akomodimi kushton rreth 20 £ për person për natë. I njëjti raport tregon se kostoja mesatare e akomodimit në hotel ishte 158 £ për person për natë në tremujorin e dytë të vitit 2023. Hotelet janë të destinuara ekskluzivisht për akomodim afatshkurtër.
Mbështetje në para: Shuma e mbështetjes në para që marrin azilkërkuesit nga Qeveria varet nëse akomodimi i tyre ofron ushqim. Nëse akomodimi ofron ushqim, ata marrin 9.95 £ në javë (517.40 £ në vit) për secilin anëtar të familjes. Nëse nuk ofrohet ushqim, ata marrin 49.18 £ për person në javë (2,557.36 £ në vit). Kjo shumë paguhet në një kartë të posaçme, e cila mund të përdoret për të tërhequr para nga bankomati ose për të paguar në dyqane.
Mbështetje shtesë në para: Azilkërkuesit me fëmijë mund të marrin ndihmë shtesë financiare. Një azilkërkuese shtatzënë merr 5.25 £ shtesë në javë (273 £ në vit, ose 210 £ gjatë një shtatzënie tipike 40-javore). Nëse ajo ka një fëmijë nën një vjeç, ajo merr 9.50 £ shtesë në javë (494 £ në vit). Nëse ajo ka një fëmijë të moshës midis një dhe tre vjeç, ajo gjithashtu merr 5.25 £ në javë. Ata gjithashtu mund të marrin një pagesë të vetme prej 300 £ nëse presin një fëmijë dhe janë mbi 11 javësh ose më pak ose nëse kanë një fëmijë nën gjashtë muaj.
Shembull: Duke marrë një rast relativisht ekstrem të një familjeje me gjashtë anëtarë që jeton në një strehimore ku nuk është i sigurar ushqimi, me një nënë shtatzënë, baba, dhe fëmijë të moshës një muaj, një vit, dy vjeç dhe tre vjeç, familja do të merrte mesatarisht rreth 2,861.19 £ për person në vit (17,167.16 £ për të gjithë familjen), me ndryshime të vogla në varësi të datave të lindjes së fëmijëve.
Shëndetësia dhe arsimi: Azilkërkuesit mund të kenë qasje në shërbimet shëndetësore nacionale dhe kanë të drejtë për përshkrime të barnave falas, kujdes dentar dhe ekzaminime të syve, si dhe ndihmë për koston e syzeve. Fëmijët e tyre kanë të drejtë për arsim falas dhe mund të kenë të drejtë për vakte falas në shkollë.
Fëmijë të pashoqëruar: Nëse një fëmijë nën moshën 18 vjeç mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar pa prindërit e tij dhe nuk ka të afërm ose kujdestarë të tjerë për të jetuar, ai bëhet përgjegjësi e shërbimeve sociale. Mënyra se si ofrohet mbështetja për ta është dukshëm e ndryshme nga mbështetja e ofruar për të rriturit ose fëmijët që arrijnë me prindërit e tyre.
Kur mbaron mbështetja: Nëse një person pa fëmijë nën 18 vjeç ka refuzuar kërkesën e tij për azil dhe nuk ka të drejtë të mëtejshme për apelim kundër vendimit, mbështetja e zakonshme mbaron 21 ditë më vonë. Megjithatë, personi mund të ketë të drejtë për lloje të tjera mbështetjeje nëse ka vështirësi në largimin nga Mbretëria e Bashkuar ose për arsye të tjera. Nëse kërkesa për azil pranohet, mbështetja mbaron pas 28 ditësh.
Puna: Azilkërkuesit normalisht nuk lejohen të punojnë. Megjithatë, nëse presin një vendim për më shumë se një vit dhe nuk është faji i tyre, ata mund të aplikojnë për leje pune. Në shumicën e rasteve, atyre u lejohet të pranojnë punë vetëm nga një list e vërtetuar e profesioneve specifike. Nëse ata gjejnë punë që paguhet më shumë se 49.18 £ në javë, mbështetja nga qeveria zakonisht do të ndalet. Nëse ata fitojnë më pak se kjo, mbështetja financiare do të zvogëlohet, por nuk do të ndalet plotësisht. Ata gjithashtu mund të detyrohen të kontribuojnë në koston e akomodimit të tyre.
Mbështetje tjetër: Personat me aftësi të kufizuara ose ‘nevoja të tjera për kujdes’ mund të shfrytëzojnë të drejtën për mbështetje shtesë nga autoritetet lokale. Në disa raste, fëmijët që kanë nevojë për ndihmë dhe familjet e tyre mund të marrin mbështetje shtesë.
Ndihmë ligjore falas: Qeveria mund të ofrojë fonde për të mbuluar kostot e ndihmës ligjore. Azilkërkuesit mund të aplikojnë për ndihmë ligjore falas në procesin e azilit, me kusht që të plotësojnë kriteret e zakonshme për të ardhurat.
Teknologjia: Shumica e teknologjisë së ofruar për azilkërkuesit, siç janë telefonat celularë ose laptopët, nuk financohet nga taksapaguesit. Më shumë informacion mbi këtë mund të gjendet në seksionin e mbështetjes joqeveritare më poshtë. Në disa raste, Qeveria ofron telefona kur konsiderohet e nevojshme. Për shembull, në vitin 2021, sindikata e të punësuarve të Forcës Kufitare tha se 14,000 telefona celularë u janë dhënë të sapoardhurve sepse kontrollet ballë për ballë nuk mund të kryheshin më në mënyrë të sigurt për shkak të pandemisë COVID-19.
Autoritetet lokale: Autoritetet lokale kanë detyrë të ndihmojnë azilkërkuesit të integrohen në komunitet, por nuk ka udhëzime në Angli se si duhet të duket kjo mbështetje. Azilkërkuesit kanë të drejtë për kurse të gjuhës angleze pasi kanë pritur më shumë se gjashtë muaj për një vendim mbi kërkesën e tyre. Disa autoritete lokale ofrojnë mbështetje për azilkërkuesit që shkon përtej asaj që kërkohet ligjërisht. Kjo mund të përfshijë zbritje në shërbimet e ofruara nga vetë autoriteti lokal, por edhe partneritete me kompani private për të ofruar zbritje për azilkërkuesit dhe grupe të tjera njerëzish me të ardhura më të ulëta.
Për shembull, Këshilli i Wandsworth e përdorin sistemin e tyre “Access for All” të disponueshëm për azilkërkuesit, përfituesit e ndihmës sociale, fëmijët që marrin vakte falas në shkollë dhe njerëzit që largohen nga sistemi i kujdesit. Skema, ndër të tjera, ofron një numër të kufizuar biletash falas për pishinën e komunës dhe një zbritje prej 50% për qiranë e biçikletave elektrike nga kompanitë private.
Nga organizatat joqeveritare
Ekzistojnë një numër organizatash të financuara privatisht në Mbretërinë e Bashkuar që ofrojnë mbështetje për azilkërkuesit. Këto organizata mund të ofrojnë një gamë të llojeve të ndryshme të ndihmës. Lista e mëposhtme nuk është e plotë.
Teknologjia: Laptopët, telefonat dhe pajisjet e tjera ndonjëherë ofrohen nga organizata bamirësie ose OJQ-të. Njëra prej tyre është “Solidaritek”, e cila mbledh pajisje të dhuruara dhe i rinovon ato për t’ua dhënë refugjatëve ose azilkërkuesve. Deri në maj 2024, Vodafone kishte dhuruar më shumë se 45,000 karta SIM në Kryqin e Kuq Britanik për shpërndarje te refugjatët dhe azilkërkuesit.
Marrëveshjet me autoritetet lokale: Ndonjëherë kompanitë private ofrojnë zbritje për azilkërkuesit. Një shembull i tillë janë kompanitë e qirasë së biçikletave elektrike që ofrojnë udhëtime me gjysmë çmimi në Wandsworth.
Ndihma ligjore: Ka disa organizata që ofrojnë ndihmë ligjore falas për azilkërkuesit. Disa prej tyre kanë për qëllim të ndihmojnë me ankesat kundër vendimeve të qeverisë në lidhje me akomodimin dhe mbështetje të tjera zyrtare.
Bankat e ushqimit: Disa organizata i ndihmojnë azilkërkuesit përmes bankave të ushqimit dhe bankave të produkteve për foshnje.