Pretendimet se një grua “u dashurua me një gardh” burojnë nga postime sarkastike dhe të pavërteta. Megjithatë, vlen të përmendet se nuk është ligjërisht e mundur të martohesh me një objekt të pajetë, as në Shtetet e Bashkuara dhe as në Francë, dhe për këtë arsye një martesë e tillë nuk njihet zyrtarisht në ato vende, shkruan Vërtetmatësi.
Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:
Kjo botë po shkon drejt një humnere pa asnjë frenim.
Postimi tregon se “gruaja që u martua me Kullën Eiffel divorcohet sepse u dashurua me një gardh” dhe se një burrë “u martua me një kukull videolojërash dhe pendohet që familja e tij nuk erdhi në dasmën e tij”.
Siç shkruajnë verifikuesit e fakteve të Snopes, nuk është e vërtetë që Erica Eiffel, e cila në vitin 2007 mbajti një ceremoni për të deklaruar tërheqjen e saj ndaj objekteve të pajetë, pra një ceremoni për t’iu përkushtuar Kullës Eiffel, u dashurua me një gardh dhe u divorcua nga Kulla Eiffel. Pretendimet se ajo “u dashurua me një gardh” burojnë nga postime sarkastike dhe të pavërteta.
Megjithatë, vlen të përmendet se nuk është ligjërisht e mundur të martohesh me një objekt të pajetë, as në Shtetet e Bashkuara dhe as në Francë, dhe për këtë arsye një martesë e tillë nuk njihet zyrtarisht në ato vende, shkruajnë verifikuesit e fakteve të Snopes.
Erica “u martua” me Kullën Eiffel në një ceremoni, të cilën ajo e përshkroi si “vetëm një ceremoni të vogël, joformale”, duke shtuar:
Më lexuan betimet e mia në frëngjisht dhe pastaj i lexova asaj një poezi në anglisht.
Një ceremoni përkushtimi, sipas Merriam-Webster, është “një ceremoni në të cilën dy persona pranojnë publikisht angazhimin e tyre ndaj njëri-tjetrit në një bashkim të ngjashëm me martesën, por pa status ligjor”. Sa i përket pretendimit se “martesa” e saj me Kullën Eiffel ka mbaruar dhe se ajo tani është e dashuruar me një gardh, ky pretendim u shfaq për herë të parë në internet në vitin 2022, kur u raportua nga faqe të ndryshme lajmesh.
Megjithatë, kjo histori u vu menjëherë në dyshim për shumë arsye, jo vetëm sepse ceremonia e dedikimit të saj në Kullën Eiffel nuk ishte ligjërisht e detyrueshme, duke e bërë të pamundur që një gjykatë të lëshonte një dekret për zgjidhjen e martesës – domethënë, divorc, shkruajnë verifikuesit e fakteve të Snopes.
Postime të tjera në të cilat Eiffel flet për tërheqjen fizike nga një gardh u filmuan fillimisht për një dokumentar të vitit 2008 të titulluar E martuar me Kullen Eiffel, prodhuar nga Agnieszka Piotrovska. Në një moment në dokumentar, Eiffel u shfaq duke prekur një gardh të kuq, duke thënë se ajo ishte “padyshim e tërhequr fizikisht nga ky gardh” dhe “do të donte ta njihte më mirë”.
Sa i përket pjesës së postimit ku pretendohet se një burrë u martua me një kukull nga një videolojë, bëhet fjalë për një banor të Tokios, Akihiko Kondo, i cili u bë i njohur në mediat botërore në nëntor të vitit 2018, kur, në moshën 35-vjeçare, u martua me Hatsune Miku, një personazh virtual që paraqitet si një vajzë 16-vjeçare. Hatsune Miku është shfaqur në videolojëra, në koncerte virtuale, madje edhe në një turne me këngëtaren e njohur Lady Gaga.
Kondo e zbuloi Mikun në vitin 2008. Në atë kohë, atij iu rekomandua të merrte pushim nga puna pasi ishte diagnostikuar me çrregullim të adaptimit. Sipas raportimeve, kolegët e tij e ngacmonin dhe e bullizonin, ndërsa dy prej tyre e quanin “të neveritshëm” dhe e shmangnin. Sipas Kondos, këngët e Mikut e ndihmuan të flinte, ndërsa muzika e saj e motivoi gradualisht të dilte sërish nga shtëpia dhe të kthehej në punë. Siç shkruan Dojce Vele, Kondo nuk mundi ta regjistronte ligjërisht martesën e tij, pasi ligji japonez nuk lejon martesën me një personazh virtual. Në vend të kësaj, ai mori një certifikatë alternative martese nga një kompani që pranon regjistrimin e marrëdhënieve jokonvencionale.
Për të gjitha faktet e mësipërme, ne e vlerësojmë postimin që po shqyrtojmë si pjesërisht të pavërtetë.