LSDM: Saveski e nisi me skandal, propozoi një prokurore nga “tefteri” i Sasho Mijallkovit

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrievski, në konferencën e sotme për shtyp para Prokurorisë Publike akuzoi kryeprokurorin Nenad Saveski për skandal që në fillim të mandatit të tij, transmeton Portalb.mk.

Sipas LSDM-së, vendimi i Saveskit për të propozuar Jasmina Kosteska-Zdraveska si shefe të Prokurorisë së Lartë Publike është konfirmim se institucionet po kthehen nën kontroll partiak, sipas modelit të së kaluarës.

Dimitrievski tha se emri i Kosteska-Zdraveskës figuron në bisedat e “bombave”, në komunikim mes Sasho Mijallkovit dhe Gordana Jankulloskës, ku ajo ishte cilësuar si “njeri i tyre”, ndërsa bashkëshorti i saj kishte qenë pjesë e procesit të lustracionit të Slavko Janevskit.

“Ja kështu fillon mandati i prokurorit të ri – sipas modelit të Nikola Gruevskit, me gjyqtarë dhe prokurorë të marrë vesh nga ‘tefteri’ që qytetarët e mbajnë mend mirë. A është ky vendim i pavarur i Saveskit apo është një detyrë tjetër e dhënë nga Hristijan Mickoski?”, pyeti Dimitrievski.

Nga partia opozitare theksojnë disa situata tashmë të njohura, të cilat sipas tyre e kthejnë vendin në vitin 2016 – Mickoski nga foltorja e Kuvendit i jep detyra prokurorit publik, këshilltarë të pushtetit dhe bashkëshorte të funksionarëve të VMRO-së zgjidhen gjyqtarë, zhvillohet fushatë kundër PSP-së për rrëzimin e vendimeve dhe kthimin e Nikola Gruevskit, përgatiten fushata të reja përmes Boki 13 dhe Katica Janevës me skenarë të njohur dhe zhvillohen fushata të zeza dhe linçim publik ndaj opozitës.

“Fryma e Sasho Mijallkovit dhe Nikola Gruevskit jo vetëm që është e pranishme – ajo po jeton sërish në institucione. Por qytetarët e kanë mundur një herë atë sistem. Do ta mundin përsëri”, tha Dimitrievski.

Ndërkohë, Këshilli i Prokurorëve Publikë në seancën e djeshme nuk mori vendim për zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup, pasi asnjë nga pesë kandidatët e paraqitur nuk mori shumicën e nevojshme.

Në seancë, Këshilli shqyrtoi kandidaturat e Fatime Fetait, Vladimir Milloshevskit, Artan Ajros dhe Jasmina Kosteska-Zdraveskaa. Nuk u shqyrtua kandidatura e kandidatit të pestë, Aleksandar Markovskit, pasi ai tashmë është zgjedhur prokuror publik në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Këshilli i Prokurorëve RMVLidhja Social Demokrate (LSDM)Nenad SaveskiPërgjim - Spiunim Spiun(e)