LSDM ngrit padi penale kundër guvernatorit të Bankës Popullore Trajko Sllaveski

LSDM-ja opozitare ka ngritur padi penale kundër Guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, nën dyshimin për kryerje të pakujdesshme të detyrës, e cila shkaktoi dëme në Buxhetin dhe rendin juridik, transmeton Portalb.mk.

Në një konferencë për shtyp para Prokurorisë, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, akuzoi Sllaveskin për shkelje të rëndë të detyrimeve ligjore dhe vënien në dyshim të ligjshmërisë së operacioneve të Bankës Popullore, duke shkaktuar dëme në institucion dhe në rendin juridik.

“Së pari, është shkelur afati ligjor për propozimin e zëvendësguvernatorëve, gjë që kërcënon drejtpërdrejt funksionimin ligjor të Bankës Popullore. Së dyti, ka indikacione serioze se pas skadimit të mandateve të tyre, individëve u janë paguar paga për funksione që nuk u lejohej më t’i kryenin. Së treti, këta individë vazhduan të merrnin vendime në Këshillin e Bankës Popullore edhe pas skadimit të afateve, gjë që i bën ato vendime ligjërisht të diskutueshme dhe të pavlefshme”, tha Dimitrijeviq në konferencën e sotme për shtyp para Prokurorisë.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë të gjitha akuzat dhe të fillojë procedurat.

“Të shohim nëse prokuroria do të veprojë sipas ligjit apo sipas urdhrave të Mickoskit? LSDM nuk do të heshtë. Të gjithë ata që kanë kryer krim para ligjit do të mbahen përgjegjës, nëse jo sot, atëherë kur gjyqësori të jetë i lirë”, tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.

Ndryshe, më 31 mars, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, nëse planifikon të shqyrtojë punën e Sllaveskit për shpërdorim të mundshëm të detyrës në lidhje me mandatet e dy zëvendësguvernatorëve, presidentja Siljanovska, megjithëse fillimisht tha se guvernatori që propozohet prej saj zgjidhet nga Kuvendi dhe është përgjegjës para Dhomës Legjislative, dhe për këtë arsye thotë se nuk e sheh në çfarë kuptimi do ta shqyrtonte punën e tij, më vonë në përgjigjen e saj tha se sipas ligjit për BPRM-në, kreu i shtetit ka të drejtë, nëse përcakton shkelje të ligjit, si propozues të rekomandojë shkarkimin e guvernatorit.

“Para së gjithash, Guvernatori i BPRM-së, megjithëse zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit, nuk më përgjigjet mua, por i përgjigjet Kuvendit, nuk e di në çfarë kuptimi do ta vija në dyshim. Unë e propozoj dhe ai e merr mandatin bazuar në shumicën e deputetëve në Parlament. Është e vërtetë që me ligj propozuesi ka të drejtë të propozojë zgjedhjen e tij, si dhe shkarkimin e tij, por unë jam një njeri që besoj në ligj, mora pyetje nga Ivan Mirçevski në këtë drejtim, sigurisht para se të them se çfarë mendoj, e analizoj më parë, e thirra edhe Guvernatorin e BPRM-së…”, tha Siljanovska.

Përndryshe, afati ligjor për zgjedhjen e zëvendësguvernatorëve të rinj, është shkelur me tre muaj. Afati për vendim mbi periudhën prekluzive të dhënë në paragrafin 1 të nenit 55 ishte 18 dhjetori. Situata aktualisht po monitorohet nga Prokuroria Publike dhe KSHPK, dhe që nga 31 marsi, është informuar edhe revizori shtetëror Acevski.

Sllaveski u pyet disa ditë më parë për rastin e dy zëvendësguvernatorëve të cilët ende punojnë dhe marrin vendime në Këshillin e BPRM-së pesë muaj pasi mandati i tyre skadoi në tetor të vitit të kaluar, por nuk u përgjigj. Deri më tani, LSDM-ja opozitare tashmë i ka kërkuar prokurorisë të hapë lëndë, ndërsa VMRO-ja në pushtet ka lënë të kuptohet se do ta shqyrtojnë më tej çështjen.

Banka Popullore e RMVLidhja Social Demokrate (LSDM)Padi penaleTrajko Sllaveski