Ambulanca që ndodhet mes fshatrave Llojan dhe Vaksincë të Komunës së Likovës, e cila që nga vitet e 90-ta u ka ofruar shërbime shëndetësore banorëve të kësaj zone, prej vitesh është e mbyllur. Përveç mbylljes, ajo është thyer dhe dëmtuar disa herë, duke mbetur në gjendje edhe më të vështirë. Ministria e Shëndetësisë hesht, shkruan Portalb.mk.
Sot, për një kontroll të zakonshëm shëndetësor, banorët e këtyre dy fshatrave duhet të udhëtojnë drejt Likovës ose Kumanovës.
Për banorët, problemi bëhet edhe më i madh gjatë dimrit, ndërsa veçanërisht të moshuarit e kanë më të vështirë të përballojnë udhëtimin.
Një banor i Llojanit, B.A., tha për Portalb.mk se për kontrolle të zakonshm detyrohen të udhëtojnë deri në Likovë, pasi ajo është pika më e afërt shëndetësore.
“Gjatë dimrit është më problem, pasi më shpesh ndodhin ftohjet, gripet apo probleme të tjera shëndetësore. Sidomos është më problematike edhe kujdesi ndaj të moshuarve, në këtë periudhë kur të rinjtë janë larguar drejt Perëndimit dhe të moshuarit thuajse kanë mbetur vetëm në shtëpitë e tyre. Përveç se është më e kushtueshme shkuarja në Likovë, për këtë pjesë të shoqërisë bëhet edhe më e vështirë”, tha ai.
Disa prej tyre kujtojnë kohën kur në këtë objekt kishte mjek dhe kur, edhe pse ofroheshin vetëm shërbime bazë, banorët nuk duhej të udhëtonin për çdo nevojë shëndetësore.
Një tjetër banor, të cilin në fshat të gjithë e thërrasin Haxhia, kujton kohën kur ambulanca ka funksionuar. Ai tha për Portalb.mk se prania e mjekut dhe funksionimi i ambulancës, edhe me shërbime bazë, u ka ndihmuar jashtëzakonisht banorëve.
Sipas tij, mungesa e shërbimeve dhe kushtet më të vështira në fshat janë ndër arsyet që ndikojnë edhe në largimin e banorëve drejt qytetit.
“Kur po je në qytet gjithçka po është më e lehtë dhe më e qasshme”, u shpreh ai.
Ndërkohë, mungesa e ambulancës nënkupton edhe shpenzime shtesë për banorët që zgjedhin të kërkojnë shërbime te mjekët privatë ose duhet të udhëtojnë deri në qytet.
Portalb.mk ka kërkuar sqarim nga Ministria e Shëndetësisë se përse ambulanca është e mbyllur dhe nëse ka plan që ajo të rivendoset në shërbim. Deri në publikimin e këtij shkrimi, nga Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjën.
Sipas informacioneve të Portalb.mk një infermiere ka punuar deri në vitin 2021 dhe ka qenë e fundit që ka mbetur si punonjëse shtetërore, duke udhëhequr patronazhën, për të cilën ajo më pas u transferua në ISHP Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë.
Kujtojmë se në janar, objekti i ish-ambulancës midis fshatrave Llojan dhe Vaksincë u sulmua, ku u thyen dyer dhe dritare.