Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, deklaroi se po priten rekomandimet nga UNESCO për Ohrin dhe Rajonin e Ohrit, pasi së bashku me Shqipërinë është dërguar një raport në selinë e kësaj organizate të OKB-së, transmeton Portalb.mk.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske në konferencën për shtyp kushtuar rezultateve të konkurseve vjetore për projekte në kulturë për vitin 2026, si dhe masave që do të ndërmerren për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit si trashëgimi kulturore në rrezik, Ljutkov tha se ka trashëguar një problem shumëvjeçar.
Ai theksoi se gjatë një viti e gjysmë që nga marrja e detyrës janë bërë ndërhyrje të mëdha dhe angazhime serioze në Rajonin e Ohrit, por se periudha është e shkurtër për të marrë vendime madhore.
“Morëm vendime të rëndësishme në Komisionin për UNESCO, formuam një shtab krize dhe morëm shtatë muaj kohë për të ndërhyrë. Raporti është përgatitur, janë marrë parasysh të gjitha institucionet relevante dhe mendimet e tyre, dhe ky raport, së bashku me palën shqiptare, i është dërguar UNESCO-s. Do të shohim se cilat do të jenë rekomandimet në periudhën e ardhshme. Meqenëse ky është një problem shumëvjeçar, unë si ministër mund të them se e kam gjetur këtë gjendje dhe atë që kemi mundur ta bëjmë, e kemi bërë. Dhe përsëri do të theksoj se duhet të presim gjithçka”, tha Ljutkov në konferencën për shtyp.
Kujtojmë se, UNESCO duhet të vlerësojë nëse janë zbatuar rekomandimet dhe sa janë tejkaluar dobësitë e institucioneve për mbrojtjen e liqenit dhe rajonit.
Komiteti për Trashëgimi Botërore vitin e kaluar i dha Maqedonisë edhe një shans për zbatimin e rekomandimeve të misionit monitorues. Për shkak të ndërtimeve të shumta pa leje, zhvillimit urban pa kontroll, mangësive në planifikimin hapësinor dhe projekteve të mëdha infrastrukturor. Rajoni i Ohrit rrezikon të shpallet trashëgimi kulturore në rrezik.