Listë e re, shpenzime të vjetra në RMV: Ngjitësit me nikotinë dhe kontraceptivët nuk janë falas

Mjekët amë në Maqedoninë e Veriut së shpejti do mund të përshkruajnë ngjitës anti-nikotinikë, çamçakëz nikotinikë dhe kontraceptivë, por lajmi kryesor për pacientët është se këto preparate nuk do të jenë falas, sepse nuk janë në listën esenciale të barnave që mbulohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, kjo u bë e ditur dje gjatë një konferencë për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë, ku u prezantua lista e përditësuar esenciale e barnave, transmeton Portalb.mk.

Në shikim të parë kjo duket si një zgjerim i qasjes në shërbime shëndetësore. Pas më shumë se dhjetë vjetësh shteti më në fund e përditësoi listën esenciale të barnave, e cila për herë të fundit është reviduar në vitin 2015, ndërsa në të për herë të parë përfshihet terapia zëvendësuese e nikotinës dhe një mjet kontraceptiv.

Por thelbi qëndron në ndryshimin midis një liste esenciale dhe asaj pozitive: e para do të thotë që shteti i njeh këto barna si të nevojshme dhe duhet të jenë të disponueshme, ndërsa e dyta do të thotë që shteti vërtetë do t’i paguajë ato. Në këtë rast, ka njohje, por nuk ka mbulim të pagesës.

Kjo e bën reformën gjysmake. Për njerëzit që duan ta lënë duhanin ose gratë që kanë nevojë për kontracepsion pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm nëse mjeku i tyre amë do të mund tu shkruajë një recetë, por nëse ato do të jenë në gjendje ta përballojnë pagesën. Nëse pacienti edhe më tej do duhet ta paguajë vetë të gjithë shumën, atëherë shteti ka bërë një hap drejt disponueshmërisë formale, por jo edhe drejt qasjes të vërtetë financiar.

Ministri Azir Aliu njoftoi se lista esenciale tani do të përditësohet çdo dy vjet, ndërsa nga Ministria thonë se versioni i ri është në përputhje me standardet moderne klinike dhe është përgatitur me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por, për qytetarët mesazhi është shumë më i thjeshtë dhe më praktik: barnat do mund të përshkruhen, por faturën edhe më tej do ta paguajnë vetë.

Barna - Ilaçe - hapaBarnatore - FarmaciÇmimi i barnave - ilaçeveMinistria e Shëndetësisë (MSH)