Latas u lirua nga akuza, prokurori hoqi dorë nga aktakuza në rastin “Total”

Dështoi edhe rasti “Total”, në të cilin ishte i akuzuar Dragan Pavlloviq Latas, pasi prokurori hoqi dorë nga aktakuza, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me lëndën e formuar nga ish-Prokuroria Speciale Publike, e më pas e marrë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, me nr. K.1493/17, e njohur si ‘Total’, e njoftojmë opinionin se më 27 maj 2026 është marrë aktgjykim me të cilin refuzohet aktakuza, pasi prokurori publik kompetent hoqi dorë nga aktakuza”, thuhet në njoftim.

Në këtë procedurë, e cila në këtë gjykatë zhvillohej që nga tetori i vitit 2017, të akuzuar ishin D.P.-L. si person fizik dhe tri persona juridikë nga Shkupi për veprën penale ‘Shmangie e tatimit’.

Lënda disa herë nisi nga e para për shkak të ndryshimit të kompetencës së prokurorit publik dhe kalimit të saj nga një prokurori në tjetrën. Në seancën e fundit, prokurori publik kompetent, gjatë fjalës përfundimtare, hoqi dorë nga ndjekja e mëtejshme penale e të akuzuarve.

Prokurori, duke marrë parasysh konstatimet e ekspertizës, fillimisht bëri ndryshime në aktakuzë, pas së cilave konstatoi se për dy nga personat juridikë të akuzuar nuk ishin plotësuar elementet që përbëjnë veprën penale të ‘Shmangies së tatimit’.

Ndërkohë, për një person juridik dhe për të akuzuarin D.P.-L. kishte ndodhur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Për këto arsye, gjykata veproi në përputhje me dispozitat ligjore dhe e mori aktgjykimin përkatës.

Aktgjykimi i datës 25 qershor 2026 është i formës së prerë. Gjithashtu janë përgatitur vendimet për shpenzimet procedurale të palëve, ndërsa aktgjykimi do të publikohet në faqen e internetit të gjykatës.

Rasti “Total” ishte një proces gjyqësor në të cilin gazetari Dragan Pavlloviq-Llatas akuzohej për shmangie të tatimit në periudhën 2008–2015, përmes kompanive “Total Marketing” dhe “Total Media Center”. Rasti ishte hapur nga ish-Prokuroria Speciale Publike.

Detaje për këtë rast mund të lexoni në Arkivin e Portalbit, duke klikuar KËTU.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, Gjykata Penale e Shkupit liroi nga akuzat të pandehurit Dragan Pavlloviq-Llatas dhe YouTuber-in Stefan Llazarov, në podkastin e të cilit mysafiri foli për abuzimin dhe përdhunimin e një vajze. Duke vepruar kështu, Pavlloviq-Llatas dhe Stefan Lazarov qeshën me dhunën. Podkasti kontrovers u regjistrua, ose më saktë u transmetua, më 14 shkurt 2023.

Gjykata Themelore Penale Shkupi 1Lënda – Rasti “Total”