Në Maqedoninë e Veriut, që nga fillimi i korrikut, janë konfirmuar gjithsej 10 vatra të reja të sëmundjes së lisë te delet dhe dhitë, transmeton Portalb.mk.
Sipas Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), aktualisht në vend janë konfirmuar gjithsej 17 vatra të sëmundjes, me mbi 2.700 kafshë të prekura. Sëmundja është evidentuar në 15 ferma të deleve dhe në dy ferma ku mbahen dele dhe dhi. Vatra e parë u konfirmua në janar të këtij viti në fshatin Llopat, Komuna e Kumanovës.
“Pas marrjes së pëlqimit për lokacionin ku do të varrosen kafshët, AUV do të vazhdojë me asgjësimin e kafshëve në vatrat e reja të konfirmuara në Makedonska Kamenicë, Dellçevë dhe Sveti Nikollë. Deri më tani Agjencia ka asgjësuar mbi 1.400 kafshë, ndërsa gjatë ditës së djeshme u krye asgjësimi i kafshëve në fermën në fshatin Sopot, Komuna e Kumanovës, duke përdorur metodën mekanike të eutanazisë”, njoftojnë nga AUV.
Dje, AUV zhvilloi edhe takim pune me përfaqësues të shoqatave të blegtorëve dhe Lidhjes së Blegtorëve të Deleve të Maqedonisë, për t’i informuar mbi gjendjen aktuale epidemiologjike të lisë së deleve dhe dhive, sfidat me të cilat përballen blegtorët, si dhe masat që po ndërmerren për përballimin e sëmundjes.