Enti Shtetëror i Revizionit ka konstauar dobësi në menaxhimin financiar dhe në funksionimin e NP ‘Parkingjet e Komunës Qendër’ Shkup, përkatësisht evidentim joadekuat i pajisjeve dhe objekteve ndërtimore, taksë komunale e papaguar në vlerë prej 86 milionë denarë në Buxhetin e Komunës Qendër, 25% e kërkesave të përgjithshme janë më të vjetra se gjashtë vjet dhe pa masa të ndërmarra për arkëtimin ose zhvlerësimin e tyre, parregullsi në procedurat e prokurimeve publike, si dhe dobësi në punën e arkës, transmeton Portalb.mk.
Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mosharmonizim në funksionimin e ndërmarrjes dhe për shkak të rëndësisë së tyre është shprehur opinion i pafavorshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2024, si dhe opinion me rezervë për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura.
“Pajisjet dhe objektet ndërtimore me të cilat disponon ndërmarrja publike (parkomatet, konstruksionet montuese, sistemet e kioskave dhe pajisje të tjera urbane) nuk janë evidentuar në mënyrë të duhur dhe nuk është përllogaritur amortizimi i mjeteve materiale të furnizuara gjatë vitit 2024, të cilat janë vënë në përdorim, që ndikon në rezultatin të paraqitur financiar, si dhe në cilësinë e informatave dhe të dhënave të ofruara në pasqyrat financiare”, thuhet në raport.
Sipas Revizionit, NP „Parkingjet e Komunës Qendër“ Shkup ka evidentuar kërkesa në vlerë prej 80.120 mijë denarë përkatësisht 1.302.764 euro, prej të cilave 20.414 mijë denarë, përkatësisht 331.935 euro, janë më të vjetra se 6 vjet dhe përbëjnë 25% të kërkesave të përgjithshme, për këto kërkesa nuk janë ndërmarrë me kohë aktivitete për arkëtimin e tyre dhe nuk është kryer zhvlerësimi për ato për të cilat ekzistojnë prova objektive se ndërmarrja nuk do të jetë në gjendje t’i arkëtojë.
Gjatë vitit 2024 është kryer shlyerja e kërkesave në vlerë prej 2.221 mijë denarë ndaj personave fizikë, për të cilat nuk është përllogaritur dhe paguar tatimi mbi të ardhurat personale në vlerë prej 247 mijë denarësh, që ka si efekt pagesë më të ulët të mjeteve në Buxhetin e shtetit.
“Nuk është kryer regjistrimi i një pjese të mjeteve, kërkesave dhe detyrimeve, gjendjet nuk janë konfirmuar përmes procedurave përkatëse dhe është konstatuar mos harmonizim te mjetet në arkë, ndërsa komisioni i regjistrimit nuk ka përgatitur raport për regjistrimin e kryer. Ndërmarrja publike nuk ka miratuar politika kontabël për përgatitjen, prezantimin dhe shpalosjen e raporteve financiare, regjistrimet përmbyllëse për vitin 2024 nuk janë kryer brenda afatit të përcaktuar dhe librat tregtarë nuk janë mbyllur, duke mundësuar ndryshime retroaktive. Duke përfshirë edhe vitin 2024, ndërmarrja publike ka paraqitur detyrime për taksën komunale në vlerë prej 86.363 mijë denarë gjegjësisht 1.404.276 euro, të cilat nuk janë derdhur në Buxhetin e Komunës Qendër, ndërsa pjesa më e madhe e tyre (79.047 mijë denarë) i referohet periudhës 2019–2023”, thuhet në raport.
Për shkak të zbatimit të Rregullores për paga, e cila nuk është harmonizuar me dispozitat ligjore dhe Kontratën e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik, janë konstatuar parregullsi në mënyrën e përllogaritjes dhe pagesës së pagave dhe kompensimeve, në lidhje me vlerën e përcaktuar të pikës, koeficientët e kompleksitetit sipas vendeve të punës, si dhe përllogaritjen e shtesës për punën me ndërrime dhe kompensimet për pushim mjekësor.
Revizioni konstatoi dobësi në funksionimin e arkës, përkatësisht mungesë të një akti të brendshëm me të cilin rregullohet menaxhimi i mjeteve në para të gatshme, mosmbajtje të ditarit të arkës, dokumentacion jo të plotë të arkës, si dhe mungesë të masave të ndërmarra për sigurimin e mjeteve në para të gatshme që ruhen në arkë.
“Revizioni i brendshëm nuk është organizuar në formën e duhur organizative dhe nuk është plotësuar me numrin e nevojshëm të revizorëve të brendshëm, për shkak të së cilës 3 nuk janë miratuar plani strategjik dhe plani vjetor i revizionit të brendshëm për vitin 2024”, thuhet në raport.
Janë konstatuar dobësi në procedurat për dhënien e kontratave të prokurimit publik në vlerë të përgjithshme prej 4.590 mijë denarë, me realizim gjatë vitit 2024 në vlerë prej 2.589 mijë denarë. Në një pjesë të procedurave janë vendosur kushte joproporcionale për pjesëmarrje, janë pranuar oferta mbi vlerën e vlerësuar pa analizë përkatëse dhe pa mjete të siguruara, njoftimet për kontratat e lidhura dhe të realizuara nuk janë publikuar brenda afatit ligjor në SEPP, specifikimet teknike nuk janë përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të paekuivokë, ndërsa pyetjeve të parashtruara nga operatorët ekonomikë nuk u është dhënë përgjigje.
Për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara janë dhënë rekomandime me qëllim ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve nga institucionet kompetente dhe personat përgjegjës.