Latas u lirua nga akuza, prokurorја hoqi dorë nga aktakuza në rastin “Total”

Dështoi edhe rasti “Total”, në të cilin ishte i akuzuar Dragan Pavlloviq Latas, pasi prokurori hoqi dorë nga aktakuza, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me lëndën e formuar nga ish-Prokuroria Speciale Publike, e më pas e marrë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, me nr. K.1493/17, e njohur si ‘Total’, e njoftojmë opinionin se më 27 maj 2026 është marrë aktgjykim me të cilin refuzohet aktakuza, pasi prokurori publik kompetent hoqi dorë nga aktakuza”, thuhet në njoftim.

Në këtë procedurë, e cila në këtë gjykatë zhvillohej që nga tetori i vitit 2017, të akuzuar ishin D.P.-L. si person fizik dhe tri persona juridikë nga Shkupi për veprën penale ‘Shmangie e tatimit’.

Lënda disa herë nisi nga e para për shkak të ndryshimit të kompetencës së prokurorit publik dhe kalimit të saj nga një prokurori në tjetrën. Në seancën e fundit, prokurori publik kompetent, gjatë fjalës përfundimtare, hoqi dorë nga ndjekja e mëtejshme penale e të akuzuarve.

Prokurori, duke marrë parasysh konstatimet e ekspertizës, fillimisht bëri ndryshime në aktakuzë, pas së cilave konstatoi se për dy nga personat juridikë të akuzuar nuk ishin plotësuar elementet që përbëjnë veprën penale të ‘Shmangies së tatimit’.

Ndërkohë, për një person juridik dhe për të akuzuarin D.P.-L. kishte ndodhur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Për këto arsye, gjykata veproi në përputhje me dispozitat ligjore dhe e mori aktgjykimin përkatës.

Aktgjykimi i datës 25 qershor 2026 është i formës së prerë. Gjithashtu janë përgatitur vendimet për shpenzimet procedurale të palëve, ndërsa aktgjykimi do të publikohet në faqen e internetit të gjykatës.

Lidhur me këtë rast, sqarim dha edhe Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Nga Prokuroria thonë se me superekspertizë të re, të kryer me urdhër të Gjykatës Penale, ekspertët kanë konfirmuar se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë ka ndryshuar.

Sipas Prokurorisë, ekspertiza tregoi se shuma e evazionit fiskal është ulur nga kategori “e konsiderueshme” në “më e madhe”.

Ata shtojnë se, për shkak të këtyre gjetjeve, prokurorja e lëndës, Marija Xhabirova Velkov, është detyruar ta rikualifikojë aktakuzën, gjë që ka sjellë edhe parashkrimin absolut të veprës.

“Në këtë lëndë, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, u krye superekspertizë e re në fushën e ekonomisë, financave, veprimtarisë materiale dhe kontabilitetit. Në seancën e mbajtur më 27 maj 2026, ekspertët dhanë dëshminë e tyre para gjykatës dhe, në përgjigje të pyetjeve të prokurorit, konfirmuan se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë kishte ndryshuar. Sipas ekspertizës, shuma e evazionit fiskal nga ‘e konsiderueshme’ u ul në ‘më e madhe’ dhe, për rrjedhojë, nuk i plotësonte më elementet e veprës penale sipas paragrafit 2, por duhej të rikualifikohej sipas paragrafit 1 të nenit 279 – Evazion fiskal. Edhe pse prokurorja publike Marija Xhabirova Velkov në fjalën e saj theksoi se mbetet pranë deklarimeve hyrëse të paraqitura gjatë shqyrtimit kryesor, ajo ishte e detyruar që në të njëjtën seancë ta rikualifikonte aktakuzën pikërisht për shkak të gjetjeve të superekspertizës. Si pasojë e kësaj, parashkrimi absolut kishte ndodhur që më 15 mars 2024”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Rasti “Total” ishte një proces gjyqësor në të cilin gazetari Dragan Pavlloviq-Llatas akuzohej për shmangie të tatimit në periudhën 2008–2015, përmes kompanive “Total Marketing” dhe “Total Media Center”. Rasti ishte hapur nga ish-Prokuroria Speciale Publike.

Detaje për këtë rast mund të lexoni në Arkivin e Portalbit, duke klikuar KËTU.

Kujtojmë se në mars të këtij viti, Gjykata Penale e Shkupit liroi nga akuzat të pandehurit Dragan Pavlloviq-Llatas dhe YouTuber-in Stefan Llazarov, në podkastin e të cilit mysafiri foli për abuzimin dhe përdhunimin e një vajze. Duke vepruar kështu, Pavlloviq-Llatas dhe Stefan Lazarov qeshën me dhunën. Podkasti kontrovers u regjistrua, ose më saktë u transmetua, më 14 shkurt 2023.

Gjykata Themelore Penale Shkupi 1Lënda – Rasti “Total”