Kuvendi i RMV-së miratoi ligjet për shërbimin gjyqësor dhe shërbimin e Prokurorisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme miratoi Ligjin për Shërbimin Gjyqësor dhe Ligjin për Shërbimin e Prokurorisë Publike, dy reforma kyçe në fushën e drejtësisë, të harmonizuara me Agjendën Reformuese dhe Strategjinë Sektoriale për Zhvillimin e Drejtësisë 2024–2028, transmeton Portalb.mk.

Me miratimin e ligjit për shërbimin gjyqësor, Ministria e Drejtësisë thotë se tejkalohen dobësitë sistemore shumëvjeçare të zgjidhjes së deritanishme ligjore dhe krijohen kushte për funksionim më efikas të gjykatave, përmes njohjes së qartë të rolit specifik të nëpunësve gjyqësorë në pushtetin gjyqësor.

“Risia më e rëndësishme është veçimi i nëpunësve profesionalë gjyqësorë, të cilët fitojnë statusin e nëpunësve të veçantë administrativë, pra një kategori e veçantë e të punësuarve në pushtetin gjyqësor me regjim të posaçëm ligjor.

Ligji vendos një sistem të ri dhe më funksional të klasifikimit të vendeve të punës, duke plotësuar kategoritë, nivelet dhe titujt e nëpunësve gjyqësorë sipas nevojave reale të gjykatave. Me këtë tejkalohen problemet praktike shumëvjeçare që lidhen me klasifikimin e papërshtatshëm të vendeve të punës, të marrë nga sistemi i nëpunësve administrativë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria shton se njëkohësisht krijohet një sistem i ri punësimi dhe avancimi, i përshtatur posaçërisht për shërbimin gjyqësor. Në vend të zbatimit të zgjidhjeve nga sistemi i përgjithshëm administrativ, vendoset një procedurë e veçantë që përfshin përzgjedhje administrative, provim dhe intervistë, me qëllim përzgjedhjen e kuadrove më profesionale për nevojat e gjykatave.

“Ligji forcon ndjeshëm edhe pavarësinë institucionale të pushtetit gjyqësor. Këshilli Buxhetor Gjyqësor merr rol qendror në planifikimin e kuadrove përmes hartimit të një plani vjetor të punësimit, i cili do t’u dërgohet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Administratës Publike vetëm për informim, pa pasur nevojë për miratim paraprak. Kjo ul varësinë nga pushteti ekzekutiv dhe forcon autonominë kadrovike të gjyqësorit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se ligji sjell edhe një sistem të ri të pagave, ku rritjet e parashikuara me kontratat kolektive bëhen pjesë e pagës bazë, duke siguruar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të drejtë të vlerësimit të punës së nëpunësve gjyqësorë.

“Po ashtu rregullohet statusi i policisë gjyqësore, anëtarët e së cilës fitojnë stazh të beneficuar, si dhe statusi i kategorive të tjera të të punësuarve në gjykata, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara qartë.

Për herë të parë përmirësohet edhe pozita e administratorit gjyqësor, duke krijuar një sistem të mirëfilltë karriere që mundëson avancimin e nëpunësve me përvojë dhe profesionalë në këtë funksion, mbi bazën e kritereve të qarta. Administratori gjyqësor bëhet gjithashtu pjesë e sistemit të përgjegjësisë disiplinore, duke forcuar integritetin, llogaridhënien dhe profesionalizmin në shërbimin gjyqësor”, thotë Ministria.

Me miratimin e Ligjit për Shërbimin Gjyqësor realizohet edhe një detyrim i rëndësishëm i Agjendës Reformuese dhe shënohet një hap i madh drejt ndërtimit të një drejtësie të pavarur, profesionale dhe efikase.

Kuvendi gjithashtu miratoi Ligjin për Shërbimin e Prokurorisë Publike, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe efikasitetit të prokurorisë publike.

“Ligji i ri paraqet një reformë thelbësore që vendos një sistem modern dhe funksional për menaxhimin e shërbimit të prokurorisë publike, të harmonizuar me standardet evropiane dhe nevojat reale të prokurorive.

Ligji vendos një sistem të veçantë të menaxhimit të burimeve njerëzore, me procedura më të thjeshta dhe më efikase për punësim, varësi më të vogël nga institucionet e jashtme dhe përzgjedhje të kuadrove më profesionale”, thotë Ministria e Drejtësisë.

Ministria shtoi se vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimit të karrierës së nëpunësve të prokurorisë publike. Krijohet një rrugë e qartë vertikale e karrierës dhe mundësi reale për avancim deri në pozitat më të larta drejtuese.

“Ligji forcon ndjeshëm edhe rolin e Këshillit të Shërbimit të Prokurorisë Publike, i cili merr kompetenca më të gjera në politikën e kuadrove, përgjegjësinë disiplinore dhe mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve, duke kontribuar në ndërtimin e një shërbimi profesional, të pavarur dhe të përgjegjshëm.

Një nga përfitimet më të rëndësishme është përmirësimi i pozitës materiale të të punësuarve. Ligji vendos një sistem të ri për llogaritjen e pagave, ku rritjet e siguruara përmes kontratave kolektive bëhen pjesë e pagës bazë. Kjo siguron më shumë stabilitet financiar, vlerësim më të drejtë të punës dhe motivim më të madh për të punësuarit, ndërsa kontrata kolektive parashikon edhe rritje graduale të pagave”, thanë nga Ministria.

Sipas ministrisë, gjithashtu krijohet një sistem më transparent dhe më efikas i përgjegjësisë disiplinore, me shkelje disiplinore të përcaktuara qartë, komisione disiplinore dhe të drejtën e ankesës para Këshillit të Shërbimit të Prokurorisë Publike, duke garantuar mbrojtje shtesë për të drejtat e nëpunësve.

Ligji mundëson gjithashtu fleksibilitet më të madh në menaxhimin e burimeve njerëzore përmes mekanizmave më të qartë për sistemimin dhe transferimin e nëpunësve ndërmjet prokurorive publike, me qëllim plotësimin më të shpejtë të vendeve të punës dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve ekzistuese kadrovike.

Agjenda ReformueseMinistria e Drejtësisë (MD)